Brenda dy muajsh, ShBA-ja hoqi nga skena dy liderë miqësorë ndaj Kinës

Nga: John Liu dhe Simone McCarthy / CNN (titulli: The US just took out two China-friendly leaders in two months. Why has Beijing done very little about it?) / CNN Përkthimi: Telegrafi.com

Në një periudhë të shkurtër, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, hoqi nga skena dy nga aleatët më të afërt të Pekinit: presidentin venezuelas Nicolás Maduro dhe udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Pasi u rrëmbye nga Karakasi nga forcat speciale amerikane – në një bastisje të jashtëzakonshme gjatë një nate – i pari tani ndodhet në pranga në një qendër paraburgimi në Nju-Jork. I dyti u vra pas një hedhjeje të guximshme të bombave në mes të ditës në qendër të Teheranit, në një mision të përbashkët të Amerikës me Izraelin.

Pas kësaj, Kina ka reaguar me zemërim – duke dënuar kapjen ose vrasjen e një lideri sovran dhe përpjekjen e dukshme të ShBA-së për ndryshim regjimi, ndërsa njëkohësisht i është drejtuar Iranit për të shprehur miqësinë e saj. Por, Pekini nuk ka bërë pothuajse asgjë tjetër përveçse të vëzhgojë, teksa rivali i tij gjeopolitik po ndryshon rregullat e angazhimit

Për udhëheqësin kinez Xi Jinping, në lojë është një pragmatizëm i ashpër.

Irani përfundimisht renditet më poshtë se përparësitë e tij kryesore, përfshirë stabilitetin e marrëdhënieve të Kinës me ShBA-në, veçanërisht teksa ai synon samitin e ardhshëm me Trumpin në Pekin më vonë në këtë muaj. Kina gjithashtu mund ta mirëpresë faktin që vëmendja dhe burimet ushtarake të Uashingtonit po largohen nga rajoni i Indo-Paqësorit, thanë ekspertët.

“Kina është një mike e kohëve të mira – me shumë fjalë dhe pak rrezik”, ka thënë Craig Singleton, drejtor i lartë për Kinën në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington. “Pekini do të flasë në Kombet e Bashkuara, por do të shmangë ofrimin e çdo mbështetjeje të rëndësishme për Teheranin”.