Bordi i Paqes i Donald Trumpit i ka dorëzuar Hamasit një propozim me shkrim, që përcakton mënyrën se si ky grup militant mund të dorëzojë armët e tij. Ky është një hap kyç që Hamasi deri më tani e ka refuzuar, brenda kuadrit të planit të presidentit amerikan për të ardhmen e Gazës.
Propozimi u prezantua gjatë takimeve që u mbajtën javën e kaluar në Kajro, sipas raportimeve të Reuters. Në bisedime morën pjesë Nickolay Mladenov, i dërguari i Trumpit për Gazën, dhe Aryeh Lightstone, ndihmës i të dërguarit special amerikan.
Plani i Trumpit për Gazën, i cili u miratua edhe nga Izraeli edhe nga Hamasi në muajin tetor të vitit të kaluar, parashikon tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe fillimin e rindërtimit, me kusht që Hamasi të dorëzojë armët e tij.
Mladenov theksoi se propozimi kërkon një zgjedhje të qartë: çarmatim të plotë të Hamasit dhe të gjitha grupeve të armatosura, pa përjashtime. Përfaqësuesit e Hamasit nuk ishin të disponueshëm për të komentuar.
Bisedimet për çarmatim u pezulluan përkohësisht kur më 28 shkurt nisi konflikti midis forcave amerikane‑izraelite dhe Iranit.
Zyrtarët amerikanë bëjnë të ditur se Hamasit mund t’i ofrohet amnisti nëse dorëzon armët e rënda dhe të lehta, por grupi duket i hezitueshëm për shkak të frikës nga sulmet e milicive rivale brenda Gazës.
Ndërkohë, Izraeli kërkon çarmatim të plotë dhe kontrollon rreth gjysmën e Gazës, ndërsa Hamas mbetet në kontroll të pjesës tjetër të enklavës, ku jetojnë rreth dy milion banorë, shumica prej tyre të zhvendosur nga shtëpitë për shkak të luftës që ka zgjatur dy vjet. /Telegrafi/






