Një burrë nga Maryland që po vizitonte familjen në Michigan bëri një ndalesë gjatë rrugës për në aeroport dhe fitoi një çmim lotarie prej 1 milion dollarësh.
Burri 46-vjeçar tha se po përgatitej për udhëtimin e tij për në shtëpi kur ndaloi në Forest Liquor në Trumbull Street në Detroit.

“Isha në Michigan për të vizituar familjen dhe ndalova në dyqan gjatë rrugës për në aeroport”, tha ai.
“I thashë arkëtarit të më jepte disa bileta lotarie dhe pastaj i futa në çantën time për t’i gërvishtur më vonë”, shtoi burri.
“I harrova biletat, kështu që vetëm disa ditë më vonë i gjeta. Kur pashë se kisha fituar 1 milion dollarë, mendova, kjo nuk mund të jetë e vërtetë. I dërgova një fotografi të biletës mikut tim për t’u siguruar që po e lexoja saktë, dhe ai mendoi se ishte një shaka. Ky është një bekim i vërtetë”, vazhdoi amerikani.
Fituesi tha se disa nga fitimet e tij nga bileta do të financojnë një udhëtim tjetër. /Telegrafi/





