Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi ka bërë të ditur se Kosova bëhet vendi i parë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pjesë e programit zyrtar të shënimit të 250 vjetorit të SHBA-ve.
Bislimi në një postim në Facebook shkruan se sot është një ditë e veçantë për Kosovën, për miqësinë me SHBA-të.
Sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe për miqësinë tonë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës 🇺🇸🇽🇰

Kosova bëhet vendi i parë jashtë SHBA-së, pjesë e programit zyrtar të shënimit të 250 vjetorit të SHBA-ve.
Me krenari të jashtëzakonshme, në këtë ditë që përkon edhe me përvjetorin e interveniminit të NATO-s në Kosovë, dua të ndaj me ju se projekti ynë “America Inspires Freedom – The Kosovo Story” tashmë është program zyrtar, i njohur nga Komisioni Shtetëror për Shënimin e 250-vjetorit të ShBA, pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me America250.
Ky është një moment historik që e vendos Kosovën në agjendën zyrtare shtetërore të jubileut të 250-vjetorit të Amerikës — një dëshmi e lidhjes sonë të veçantë me vendin e lirisë dhe demokracisë.
Përmes një serie aktivitetesh madhore kulturore, diplomatike dhe edukative, ky projekt do të rrëfejë historinë e frymëzimit që Kosova ka marrë nga Amerika, do forcojë miqësinë dhe partneritetin strategjik Kosovë–ShBA, do promovojë vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetndërtimit duke e vendosë Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare gjatë këtij jubileu global.
‘America Inspires Freedom – The Kosovo Story’ nuk është vetëm një projekt, që kam nderin ta udhëheq–
Është mirënjohje, është histori, është partneritet, dhe e ardhme e përbashkët.
Në ditët në vijim do ndajmë detajet e projektit, anëtarët e bordit të projektit (personalitete të shquara të kauzës kombëtare), dhe komunat kyçe në të cilat do mbahet aktivitetet kryesore të projektit!
Kosova krenare, përkrah Amerikës — gjithmonë. /Telegrafi/





