Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (SHKSHMK) ka realizuar një operacion të vështirë shpëtimi në zonën e majës së Lubotenit, pas një aksidenti ku një bjeshkatar ka pësuar lëndime të rënda gjatë një ekspedite malore.
Sipas njoftimit zyrtar, një grup bjeshkatarësh nga vende të ndryshme të Evropës ka qenë duke zhvilluar aktivitet në majën e Lubotenit, kur gjatë zbritjes një shtetas gjerman, P.J., 48 vjeç, ka rrëshqitur në faqen lindore të mbuluar me borë dhe ka rënë rreth 500 metra në terren të thepisur.
Si pasojë e rënies, bjeshkatarit i janë shkaktuar lëndime të shumta trupore, të cilat i kanë pamundësuar lëvizjen.

Menjëherë pas pranimit të thirrjes emergjente dhe koordinatave të vendngjarjes, SHKSHMK ka mobilizuar dy ekipe të shpëtuesve malorë, duke nisur operacionin e kërkim-shpëtimit në kushte të vështira atmosferike dhe terreni.
Pas arritjes në vendin e ngjarjes, ekipet e shpëtimit i kanë ofruar ndihmën e parë të lënduarit, kanë bërë stabilizimin dhe imobilizimin e tij, si dhe kanë realizuar evakuimin nga terreni i thepisur malor.
Më pas, i lënduari është transportuar me metoda speciale të shpëtimit malor dhe me automjete të terrenit të vështirë (4×4) deri te pika ku është pranuar nga ekipi i autoambulancës.
Sipas SHKSHMK-së, gjendja shëndetësore e bjeshkatarit raportohet stabile, pavarësisht lëndimeve të marra gjatë aksidentit.
Në operacion kanë qenë të përfshira edhe Policia e Kosovës, Ambasada Gjermane, Shërbimi i Urgjencës në Ferizaj, si dhe institucione të tjera relevante, në koordinim të plotë ndërinstitucional.
SHKSHMK ka bërë të ditur se i dëshiron të lënduarit shërim të shpejtë dhe rikthim të plotë në gjendje të mirë shëndetësore./Telegrafi.





