“Bëhu Ambasador për një Ditë” – gjashtë vajza të reja frymëzohen nga liderët dhe diplomacia në Kosovë

“Bëhu Ambasador për një Ditë”

Gjashtë vajza të reja morën pjesë në iniciativën “Bëhu Ambasador për një Ditë””, ku patën mundësinë të mësojnë mbi mundësitë teknologjike dhe të takojnë përfaqësues të lartë të institucioneve dhe diplomacisë në Kosovë.

Ambasadori Jonathan Hargreaves, e përshkroi ditën si një ditë frymëzuese dhe tha se vajzat gjetën çdo bisedë motivuese dhe fuqizuese.

Gjatë vizitës, vajzat vizituan UK–Kosovo Tech Hub në Tech Park dhe takuan figura të rëndësishme si Kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu, Komisioneren Krenare Sogojeva Dermaku, si dhe Sekretaren e Përgjithshme të Drejtësisë, Anita Kalanderi dhe Sekretaren e Ekonomisë, Leonita Shabani.

Dita përfundoi me dhënien e certifikatave për ambicien dhe aftësitë udhëheqëse të pjesëmarrëseve.

“Me vajza të reja si Lea, Bora, Toska, Ilda, Ryvejda dhe Diella, e ardhmja e Kosovës është e ndritshme”, tha ambasadori.

Iniciativa u mbështet nga ambasadat e Francës, Kroacisë, Holandës, Finlandës dhe Suedisë në Kosovë, duke theksuar angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për fuqizimin e grave të reja në vend. /Telegrafi/