Bëhen 22 vjet nga trazirat e marsit, Blakaj: Ende nuk ka raport të plotë për ngjarjet

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka folur për trazirat e marsit 2004 në Kosovë, duke theksuar se ende nuk ka një raport të plotë dhe të saktë mbi ngjarjet dhe pasojat e tyre. Blakaj, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka shpjeguar se gjit...

Nacionale

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka folur për trazirat e marsit 2004 në Kosovë, duke theksuar se ende nuk ka një raport të plotë dhe të saktë mbi ngjarjet dhe pasojat e tyre.

Blakaj, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, ka shpjeguar se gjithçka kishte nisur më 15 mars 2004, kur një qytetar serb në Qagllavicë u plagos dhe serbët lokalë bllokuan rrugën Prishtinë–Ferizaj dhe rrugën për Shkup.

Sipas Blakajt, rasti që përshkroi “kupën e mbushur” ishte ai i fëmijëve që ranë në lum në Qabër, ku vëllai i tyre i mbijetuar pati deklaruar se ishin ndjekur nga serbët. Megjithatë, sipas Blakajt, ky incident nuk është hulumtuar sa duhet dhe nuk ka dalë asnjë raport me gjetje të sakta.

“22 vjet më vonë ne ende nuk e dimë saktë, edhe pse ka qenë një kronologji – diku me 15 mars të vitit 2004 një serb në Qagllavicë ishte plagosur dhe serbët lokalë kishin bllokuar rrugën Prishtinë-Ferizaj dhe rrugën për Shkup. Padyshim, pika e fundit e ujit të gotës së mbushur ishte rasti në Qabër, ku tre fëmijë kishin rënë në lum, teksa vëllai i tyre që shpëtoi pati deklaruar se ishin ndjekur nga serbët – por kjo nuk është hulumtuar aq sa duhet dhe nuk ka dalë një raport me gjetje të sakta. Sidoqoftë, kjo kishte filluar dy ditë më herët kur ishte bllokuar rruga Prishtinë-Ferizaj dhe aty kishin filluar një lloj pakënaqësie, ndërsa rasti në Qabër e kishte mbushur kupën dhe më datën 17, që në orët e hershme, kishin filluar protestat fillimisht afër urës në Veri e pas disa orëve ishin shpërndarë gjithandej”, u shpreh Blakaj.

“Situata ka eskaluar brenda disa orëve në tërë territorin e Kosovës dhe më shumë ka qenë në zonat ku ka pasur banorë serbë, të cilat u shndërruan në protesta të dhunshme dhe kishin pësuar 20 persona që kanë humbur jetën, 12 prej tyre shqiptarë dhe 8 serbë. Pa dyshim që ka pasur edhe dëme të mëdha materiale gjithandej Kosovës”, tha Blakaj.