Bastiset banesa e Shkëlzen Gashit, dyshohet për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj Shkëlzen Gashit, duke bastisur banesën e tij. Sipas dokumentit i cili mban shenjën “urgjent” dhe ...

Nacionale
Reklame

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj Shkëlzen Gashit, duke bastisur banesën e tij.

Sipas dokumentit i cili mban shenjën “urgjent” dhe datën 30 mars 2026, autoritetet kanë autorizuar mbledhjen e informatave dhe provave lidhur me dyshimet se Gashi ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, e paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Në arsyetimin e Prokurorisë thuhet se hetimet janë bazuar në prova materiale, raportime mediale dhe dëshmi të qytetarëve lidhur me deklarimet dhe publikimet e Gashit, të cilat dyshohet se kanë shkaktuar reagime dhe përçarje në opinionin publik, sidomos në lidhje me luftën çlirimtare në Kosovë.

Ky veprim i Prokurorisë vjen pas ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila, sipas autoriteteve, ka përmbajtur informata të pasakta mbi ngjarjet e luftës dhe është mbështetur në librin e Shkëlzen Gashit.

Dokumenti gjithashtu autorizon policinë që të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë sigurimin e provave dhe intervistimin e të dyshuarit në cilësinë e tij, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit.

Informatën e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, aktivisti dhe bashkëpunëtori i Shkëlzen Gashit, Rron Gjinovci.

Telegrafi ka provuar të marrë një konfirmim nga Prokuroria Speciale, pro deri në momentin e postimit të lajmit nuk kanë kthyer përgjigje./Telegrafi/