Barcelona dhe Real Madrid dërguan skautë në Anfield: Ata vëzhguan Erling Haaland, por edhe tre lojtarë të tjerë

Sport

Barcelona dhe Real Madridi kanë dërguar skautët e tyre në ndeshjen mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt, për të vëzhguar nga afër Erling Haalandin, por edhe tre futbollistë të tjerë, raporton mediumi britanik “TEAMtalk”. Manchester City triumfoi me rezultat 3-0 në Anfield, në një ndeshje ku Haaland shënoi golin e parë në minutën e 65-të, ndërsa […]

Madhësia e shkronjave

Barcelona dhe Real Madridi kanë dërguar skautët e tyre në ndeshjen mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt, për të vëzhguar nga afër Erling Haalandin, por edhe tre futbollistë të tjerë, raporton mediumi britanik “TEAMtalk”.

Manchester City triumfoi me rezultat 3-0 në Anfield, në një ndeshje ku Haaland shënoi golin e parë në minutën e 65-të, ndërsa Jeremy Doku dhe Rayan Cherki realizuan golat e tjerë. Liverpooli luajti me një futbollist më pak pas përjashtimit të Ryan Gravenberch.

Sipas “TEAMtalk”, të dy gjigantët spanjollë po e monitorojnë situatën e Haalandit, duke e konsideruar norvegjezin si një objektiv të mundshëm në të ardhmen. Interesi për sulmuesin e Manchester Cityt lidhet edhe me pasiguritë që mund ta rrethojnë klubin anglez pas akuzave për shkelje të shumta financiare.

Megjithatë, Haalandi nuk ishte lojtari i vetëm që tërhoqi vëmendjen e skautëve në Anfield. Barcelona po e monitoron nga afër Ronald Araújon, i cili është i huazuar te Liverpooli, ndërsa Real Madridi ka vënë në shënjestër dy mesfushorë të klubit anglez, Alexis Mac Allisterin dhe Florian Wirtzin.

Interesi për Haalandin nuk kufizohet vetëm te dy klubet spanjolle. Sipas “FootballTransfers”, edhe Arsenali mund të shqyrtojë mundësinë për ta transferuar sulmuesin nëse ai bëhet i disponueshëm vitin e ardhshëm.

Shënuan mbi 120 gola me sulmin aktual, Bayern Munich ia hap derën edhe transferimit të Erling Haaland

Në garë përmendet gjithashtu Paris Saint-Germaini, ndërsa Barcelona dhe Real Madridi shihen si dy prej pretendentëve më seriozë.

Megjithatë, fakti që skautët i kanë vëzhguar këta futbollistë nuk nënkupton se kanë nisur negociatat apo se është paraqitur ndonjë ofertë zyrtare. Për Barcelonën, në veçanti, realizimi i një transferimi të Haalandit do të ishte sfidues për shkak të kostos së pritshme të marrëveshjes me Manchester Cityn.

Mac Allister duke tentuar ta marr topin nga Anderson

Nga ana tjetër, sulmuesi norvegjez, 26-vjeçar, ka deklaruar së fundmi se ndihet i lumtur në Etihad, duke lënë të kuptohet se aktualisht nuk ka arsye të qartë për t’u larguar nga klubi anglez.

“Më intereson shumë ky vend dhe Britania e Madhe në përgjithësi”, ka thënë Haalandi. /Telegrafi/