Banorët e Nasalcë kundërshtojnë përzierjen e politikës në xhaminë e fshatit

Banorë të fshatit Nasalcë kanë reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale lidhur me pretendimet se në xhaminë e fshatit pritet të organizohet një iftar nga subjekti politik Partia për Veprim Demokratik (PVD).
Në reagimin e publikuar në Facebook nga faqja “Nasalca Net”, thuhet se kohët e fundit, e sidomos gjatë ditës së djeshme, janë shtuar zërat se një iftar me numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe me persona të përzgjedhur mund të organizohet në hapësirat e xhamisë së fshatit nga ky subjekt politik.
Sipas reagimit, një veprim i tillë konsiderohet i papranueshëm nga një pjesë e banorëve, të cilët shprehin shqetësimin për përfshirjen e politikës në objekte fetare. Ata u bëjnë thirrje kryetarit dhe këshillit të xhamisë, si dhe përfaqësuesve të bashkësisë lokale, që të ndërmarrin masa për të parandaluar një organizim të tillë nëse ai planifikohet të zhvillohet.
Në reagim theksohet se xhamia e fshatit duhet të mbetet hapësirë për aktivitete fetare të hapura për të gjithë besimtarët dhe jo për organizime që mund të kenë prapavijë politike.
Po ashtu, administratorët e faqes “Nasalca Net” u bëjnë thirrje organizatorëve që të tërhiqen nga kjo iniciativë, duke theksuar se, sipas tyre, bëhet fjalë vetëm për një tentativë që ende nuk është realizuar.
Reagimi është nënshkruar nga administratori i faqës se fshatit në Facebook, Sh. Jahiu.

https://www.facebook.com/share/1U7xoMQjux/