Austria i rrëmben dy talente në Kombëtaren e tyre, njërin nga Gjermania tjetrin nga Anglia

Kombëtarja e Austrisë ka siguruar dy përforcime të rëndësishme përpara Kampionatit Botërorë, pasi FIFA konfirmoi se dy futbollistë të rinj mund të ndryshojnë përfaqësuesen dhe të luajnë për ekipin A të Austrisë.

Bëhet fjalë për mesfushorin Carney Chukwuemeka (22) dhe sulmuesin Paul Wanner (20). Të dy më parë kanë përfaqësuar ekipet e të rinjve të Anglisë U21 dhe Gjermanisë U21, por tani kanë marrë dritën jeshile për të luajtur për Austrinë.

Mesfushori i Borussia Dortmund, Chukwuemeka, ka shtetësi austriake pasi ka lindur në Vjenë. Edhe pse është me origjinë nigeriane, ai kaloi një pjesë të fëmijërisë në Austri para se familja e tij të zhvendosej në Angli. Ai zhvilloi karrierën e tij të hershme te Aston Villa nga viti 2016 deri në vitin 2021 dhe më pas te Chelsea nga viti 2022 deri në verën e kaluar.

Ndërkohë, Wanner, aktualisht pjesë e PSV Eindhoven, ka lindur në Dornbirn. Nëna e tij është austriake, ndërsa babai gjerman. Nga viti 2018 deri në vitin 2022 ai ishte pjesë e akademisë së Bayern Munich dhe përfaqësoi Gjermaninë në të gjitha kategoritë e të rinjve nga U17 deri në U21.

Të dy lojtarët pritet të ftohen nga përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, për ndeshjet miqësore kundër Ganës dhe Koresë në fund të këtij muaji.

Në Kampionatin Botërorë, Austria do të luajë në Grupin J së bashku me Argjentinën, Algjerinë dhe Jordaninë.

Kujtojmë se Austria është edhe kundërshtare e Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve, ku në grup bëjnë pjesë gjithashtu edhe Izraeli dhe Republika e Irlandës. /Telegrafi/