Atletico shpërthen ndaj VAR-it: E pamundur të garosh me dy standarde

Përtej postimeve në rrjetet sociale me të cilat Atletico Madridi ka reaguar kur është ndjerë i dëmtuar në ndeshjet ndaj Real Madridit dhe Barcelonës, klubi nga “Metropolitano” ka ndërmarrë një hap më tej. Pas vendimit të Busquets Ferrer për të tërhequr kartonin e kuq ndaj Gerard Martín të shtunën e kaluar, pas thirrjes nga VAR-i […]

Sport

Përtej postimeve në rrjetet sociale me të cilat Atletico Madridi ka reaguar kur është ndjerë i dëmtuar në ndeshjet ndaj Real Madridit dhe Barcelonës, klubi nga “Metropolitano” ka ndërmarrë një hap më tej.

Pas vendimit të Busquets Ferrer për të tërhequr kartonin e kuq ndaj Gerard Martín të shtunën e kaluar, pas thirrjes nga VAR-i përmes Melero Lopez, klubi ka kërkuar një shpjegim zyrtar nga Komiteti Teknik i Gjyqtarëve (CTA), duke argumentuar se janë aplikuar kritere të ndryshme nga ato të vendosura nga vetë gjyqtarët.

“Është e pamundur të garosh kur shpjegohet një rregull dhe zbatohet një tjetër”, është ankesa e Atletico Madridit, duke iu referuar asaj ndërhyrjeje, identike me një rast të përdorur pesë javë më parë nga VAR për të treguar se ndërhyrja e Valentin Barco ndaj Ratiu në ndeshjen Betis–Rayo Vallecano duhej të ndëshkohej me karton të kuq.

Në këtë drejtim, klubi madrilen beson se gjithçka ndryshon kur në lojë janë dy gjigantët, Real Madridi dhe Barcelona. Për këtë arsye, ata kanë vendosur të reagojnë dhe të vënë në pikëpyetje nëse La Liga mund të konsiderohet vërtet liga më e mirë në botë në këto kushte.

Zemërim për regjistrimet audio të VAR-it

Edhe pse, siç deklaroi Diego Simeone pas ndeshjes, Atletico e kupton që gjyqtarët janë njerëz dhe mund të gabojnë si lojtarët, ajo që nuk pranohet në “Metropolitano” është mosrespektimi i kritereve të vendosura më parë nga vetë gjyqtarët.

Ata ankohen se VAR nuk po përdoret vetëm për gabime të qarta dhe se vendimet e gjyqtarëve po diktohen nga dhoma e VAR-it.

“Audioja e VAR-it është e papranueshme. Gjyqtari po ndikohet nga Las Rozas para se të shohë vetë rastet në monitor. Është një shembull perfekt i asaj që na ishte thënë se nuk duhet të ndodhë”, theksuan ata, pasi Melero Lopez i komunikoi opinionin e tij Busquets Ferrer për rastet e përjashtimit të Nicos dhe ndërhyrjes ndaj Gerard Martín.

“Gjyqtarët e VAR-it po dëmtojnë kolegët e tyre, do të doja t’i mbronin siç bëjmë ne”.

Prandaj, Atletico Madridi është në pritje të një shpjegimi bindës se përse e njëjta situatë është gjykuar ndryshe dhe me kritere të ndryshme.

Në fakt, pasi Simeone priti që CTA të sqarojë se si duhet vepruar në raste të ngjashme në të ardhmen, klubi ka intensifikuar përpjekjet për të marrë një përgjigje zyrtare që do t’i japë sigurinë që kërkon: që të gjithë të garojnë në kushte të barabarta./Telegrafi/