Atentati në Rinas, kontrolle në banesën e të shumëkërkuarit Ylli Zalla – gjenden municione luftarake

Policia e Krujës ka zhvilluar një operacion ku u gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarr përcjellës në oborrin e banesës së 48-vjeçarit Ylli Zalla, i cili dyshohet se ka furnizuar me armë autorët e vrasjes së dyfishtë n...

Nacionale

Policia e Krujës ka zhvilluar një operacion ku u gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarr përcjellës në oborrin e banesës së 48-vjeçarit Ylli Zalla, i cili dyshohet se ka furnizuar me armë autorët e vrasjes së dyfishtë në Rinas ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Në njoftim policia bën me dije se sendet e gjetura janë sekuestruar ndërsa po punohet për kapjen e 48-vjeçarit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, gjatë kontrollit të kryer në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim, Y. Z., gjetën në oborr, një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarrpërcjellës. Sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, ndërkaq, vijon puna për kapjen e shtetasit Y. Z.”, njofton policia, raporton euronews.al.

Zalla rezulton i shpallur në kërkim pasi policia zbuloi një sasi arsenali armësh në fshatin Zall të Fushë-Krujës në kuadër të kontrolleve të zhvilluara pas atentatit të Rinasit.

Policia gjatë një operacioni tjetër të zhvilluar në muajin shkurt zbuloi 24 kallëpe tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatorë, fitila zjarrpërcjellës dhe 5 ndezës granatash.

Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan edhe 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpe dinamiti, 27 djegore, 3 armë zjarri, krehra, 2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Nga ky operacion u sekuestruan edhe 6 kg Cannabis Sativa dhe uniforma policie.

Ylli Zalla ka precedent penal në të njëjtën fushë pasi është arrestuar në vitin 2014 për prodhim të bombave artizanale. Në atë kohë, Zalla dyshohej për lidhje me grupet terroriste të ISIS, që dërgonin shqiptarë për të luftuar në Siri.

Ai u arrestua pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Krujë kishte caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg për “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.