Astronautët e Artemis II u kthyen nga një udhëtim rreth Hënës – shkuan më larg se kushdo tjetër më parë

Bota

Astronautët e misionit Artemis II janë rikthyer të sigurt në Tokë pas një udhëtimi historik rreth Hënës. Ata zbritën në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diegos në Kaliforni, ndërsa procesi i uljes kaloi pa asnjë problem. Kapsula Orion e NASA-s, e quajtur “Integrity”, u ul butësisht në det me ndihmën e parashutave, pranë bregdetit […]

Madhësia e shkronjave

Astronautët e misionit Artemis II janë rikthyer të sigurt në Tokë pas një udhëtimi historik rreth Hënës.

Ata zbritën në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diegos në Kaliforni, ndërsa procesi i uljes kaloi pa asnjë problem.

Kapsula Orion e NASA-s, e quajtur “Integrity”, u ul butësisht në det me ndihmën e parashutave, pranë bregdetit të Kalifornisë Jugore, rreth orës 02:00 sipas kohës sonë lokale.

Kështu përfundoi misioni 10-ditor, gjatë të cilit astronautët arritën të depërtojnë më thellë në hapësirë se kurrë më parë, shkruan skynews.

Fluturimi Artemis II përshkoi gjithsej 1.117.515 kilometra në dy orbita rreth Tokës dhe realizoi një kalim të afërt pranë Hënës, rreth 4000 milje (afërsisht 6437 kilometra) nga sipërfaqja e saj. Ky ishte fluturimi i parë testues me ekuipazh, pjesë e programit që synon rikthimin e astronautëve në Hënë duke nisur nga viti 2028.

Ulja u transmetua drejtpërdrejt nga NASA, ndërsa katër anëtarët e ekuipazhit – Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch nga NASA, si dhe Jeremy Hansen nga Agjencia Hapësinore Kanadeze – u nxorën nga kapsula në det dhe u transportuan në një anije shpëtimi, ku do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

Përveç ekzaminimeve shëndetësore, ata do të kryejnë edhe disa teste motorike, të planifikuara nga ekipi i misionit.

Kthimi në Tokë ishte faza më e rrezikshme e misionit, duke testuar në maksimum edhe anijen e ndërtuar nga Lockheed Martin. Ky moment dëshmoi se mburoja termike e kapsulës mund të përballojë forcat ekstreme gjatë rihyrjes në atmosferë nga trajektorja e kthimit nga Hëna.

Gjatë hyrjes në atmosferë, kapsula arriti një shpejtësi 32 herë më të madhe se ajo e zërit, ndërsa fërkimi me ajrin e ekspozoi mburojën termike ndaj temperaturave rreth 5000 gradë Fahrenheit, ose 2760 gradë Celsius. /Telegrafi/