Aleanca për Shqiptarët ka reaguar sërish duke e cilësuar ligjin për arsim të lartë si ligj që i hap rrugë diskriminimit ndaj universiteteve shqiptare.
Ata kërkuan barazi dhe drejtësi në gjuhë e financim, drejtësi në punësim.

“Barazi në gjuhë. Diplomat në gjuhën shqipe duhet t’u garantohen studentëve edhe në UKM, UGD dhe në të gjitha universitetet e tjera, ashtu siç garantohen në UT dhe UNT. Drejtësi në punësim. Universitetet shqiptare vazhdojnë të funksionojnë me një raport pothuajse 50 me 50 mes stafit të rregullt dhe stafit me angazhim të pjesshëm. Me qindra asistentë dhe dhjetëra të doktoruar presin punësim prej 10, 12 e madje edhe më shumë vitesh. Barazi në financim. Në vitin 2025, nga 5 milionë euro për projekte, vetëm 2.5% kanë përfunduar te universitetet shqiptare. Kjo nuk është barazi. Kjo është grabitje institucionale. Propozim-ligji aktual, edhe në versionin e fundit të para dy ditëve, nuk ndryshon asgjë në realitetin e universiteteve shqiptare. Prandaj kërkojmë që ky ligj të tërhiqet menjëherë. I bëjmë thirrje të gjithë spektrit politik shqiptar, në pushtet dhe në opozitë, që dora shqiptare të mos bëhet dora që voton dhe legalizon këtë padrejtësi të kamufluar si ligj”, u shprehën nga ASH.





