Arrestohet Gani Geci pas kërcënimit ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj

Nacionale

Gani Geci është arrestuar të hënën në mbrëmje nga Policia e Kosovës, pas përplasjes me gazetarin Lirim Mehmetaj, i cili ka deklaruar se ishte kërcënuar nga anëtarë të familjes Geci për shkak të një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci. Mehmetaj ka folur për rastin në emisionin “Debat Plus”, ku ka treguar […]

Madhësia e shkronjave

Gani Geci është arrestuar të hënën në mbrëmje nga Policia e Kosovës, pas përplasjes me gazetarin Lirim Mehmetaj, i cili ka deklaruar se ishte kërcënuar nga anëtarë të familjes Geci për shkak të një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.

Mehmetaj ka folur për rastin në emisionin “Debat Plus”, ku ka treguar se anëtarë të familjes Geci kishin shkuar në zyrën e tij dhe i kishin kërkuar ta fshinte ose ta ndryshonte postimin.

Gazetari ka deklaruar se kishte refuzuar ta bënte këtë, duke thënë se askush nuk mund t’ia diktojë se çfarë të shkruajë. Sipas tij, pas këtij refuzimi ishte kërcënuar.

“Me u rrotullu toka e qielli, nuk ma dikton askush çka shkruaj. S’jam mangup, jam gazetar”, ka deklaruar Mehmetaj.

Ai ka shpjeguar edhe arsyen e postimit kritik ndaj deputetit Fatos Geci, duke pretenduar se deputeti kishte bërë akuza ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Më kanë ardhë në zyrë, kanë kërku me shly postimin. Nuk e kam bërë, sepse Fatos Geci është deputet analfabet, e ka akuzu UÇK-në me 244 vrasje, siç se ka bërë as Serbia”, ka thënë Mehmetaj.

Gazetari ka bërë të ditur se rastin e kishte paraqitur në Policinë e Kosovës.

“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar ai.

Telegrafi ka kontaktuar Policinë për të marrë konfirmim dhe informacione shtesë lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.