Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përkatësisht Drejtoria e Policisë Kriminale, kanë arrestuar katër shtetas të Republikës së Shqipërisë: A. S. (1989), E. V. (1984), E. G. (1978) dhe A. C. (2005).
Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas njoftimit të MPB-së, dyshohet se A. S., në ditën e shënimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, ka publikuar në profilin e tij në Facebook një video, ku shfaqet duke udhëtuar me veturë së bashku me të dyshuarit e tjerë nëpër territorin e Serbisë.
Në video, sipas autoriteteve, ata shfaqnin simbole të ashtuquajtura të “Shqipërisë së Madhe” dhe përdornin gjuhë fyese ndaj Republikës së Serbisë.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë. Pas kësaj periudhe, ata do të dërgohen, së bashku me kallëzimin penal, në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, në Departamentin e Posaçëm për Luftimin e Krimit të Teknologjisë së Lartë.





