Ari Bajgora, reperi 21-vjeçar me origjinë shqiptare që jeton dhe vepron në Norvegji, po shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij muzikore.
Ai është nominuar në katër kategori në “Spellemannprisen”, çmimet më prestigjioze të muzikës në Norvegji, të njohura shpesh si “Grammy-t norvegjezë”.
Artistit i janë dhënë nominime në disa nga kategoritë më të rëndësishme, përfshirë “Hiphop i Vitit” dhe “Gjenerata e Re/Zbulimi i Vitit”, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes si një nga talentet më premtuese të skenës muzikore norvegjeze.

Ari Bajgora i nominuar në katër kategori
I njohur për stilin e tij energjik dhe qasjen autentike në hiphop, Bajgora ka arritur të ndërtojë një bazë të fortë fansash dhe të tërheqë vëmendjen e industrisë muzikore në një kohë relativisht të shkurtër.
Nominimet në “Spellemannprisen” janë një dëshmi e punës dhe përkushtimit të tij si dhe e ndikimit që ka në muzikën bashkëkohore në Norvegji.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve pritet të mbahet në mars 2026, ku Bajgora do të konkurrojë me disa nga emrat më të njohur të industrisë.
Pavarësisht rezultateve, nominimi në katër kategori e konfirmon atë si një artist në ngjitje dhe një përfaqësues të denjë të talenteve shqiptare në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/





