Andonovski: Maqedonia do të jetë vendi i parë në rajon që përmbush kushtet për “Roaming si në shtëpi” në vendet e BE-së

Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, njoftoi sot se Ministria po finalizon aktivitetet për përputhjen me rregullat evropiane për futjen e modelit “Roaming si në shtëpi” me Bashkimin Evropian.

Andonovski konfirmoi se Komisioni Evropian dy javë më parë hapi zyrtarisht procesin për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, duke shtuar se secili vend duhet të përmbushë veçmas kushtet para fillimit të negociatave bilaterale. Ministri tha se pritet që Maqedonia të jetë vendi i parë në rajon që plotëson të gjitha kriteret, pas së cilës do të mund të hyjë në negociata me Komisionin Evropian, i cili do të veprojë si ndërmjetës para operatorëve telekomunikativë evropianë.

“Në këtë periudhë, BE-ja ka marrë tashmë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Komunikimet Elektronike, me të cilat përputhemi plotësisht me kërkesat e BE-së për siguri, përdorim të drejtë të roamingut, çmime dhe përcaktimin e çmimeve ndërkufitare. Pres që ky tekst i përgatitur, i miratuar nga qeveria dhe i dërguar te BE-ja, pas marrjes së komenteve të Komisionit Evropian, të dërgohet në Kuvend dhe të miratohet, që do të thotë se do të jemi vendi i parë në rajon që përmbush kushtet për “Roaming si në shtëpi”.

Pas kësaj do të fillojmë negociatat me BE-në, e cila do të jetë përfaqësuesi ynë para operatorëve telekomunikativë evropianë dhe me ta do të arrijmë marrëveshje. Pres që kjo të ndodhë në 2026, por dinamika e plotë varet nga BE-ja. Ne jemi të gatshëm”, tha Andonovski.

PolitikëMaqedonia e VeriutLajme