Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka qenë akt dëshpërimi që ka pasqyruar paaftësinë e Teheranit për t’u përballur me fuqinë e zjarrit të ShBA-së.
Vetëm sepse Donald Trump dhe Irani arritën të pajtohen për një armëpushim dyjavor, nuk do të thotë se lufta në Gjirin Persik ka përfunduar. Përkundrazi, plani i propozuar i paqes me 10 pika, për t’i dhënë fund raundit aktual të armiqësive, tregon se ende duhet bërë shumë punë përpara se paqja të rikthehet.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për çështjen e ndërlikuar të sigurimit të kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, rrugë kritike ujore përmes së cilës transportohen rreth 20 përqind e nevojave botërore për naftë. Raportet e sotme se Irani ka ndaluar sërish tankerët të kalojnë nëpër ngushticë, janë provë e mjaftueshme se kjo çështje ende nuk ka përfunduar.

Disa tani po sugjerojnë se presidenti i ShBA-së nuk shqetësohet për ngushticën. Por, Trumpi e bëri të qartë në mënyrë eksplicite se detyrimi i Iranit për të rihapur këtë rrugë ujore ishte kushti i tij i domosdoshëm për ndalimin e operacioneve ushtarake. Dhe, si e shpjegojnë ata këmbënguljen e tij më herët gjatë kësaj jave se “një qytetërim i tërë do të vdesë” nëse ajatollahët nuk do t’u përmbaheshin kërkesave të tij për ta bërë këtë?
Por, kritikët perëndimorë të presidentit ishin të vendosur ta shpallnin operacionin e tij ushtarak të dështuar, pothuajse që nga momenti kur filloi. Pavarësisht manovrave të fundit të Iranit në ngushticë, kjo ndoshta është arsyeja pse të ashtuquajturit ekspertë të politikës së jashtme po e nënvlerësojnë mundësinë se ajatollahët janë tmerruar nga gjasat që Irani të pësonte sulme të shkatërrimtare, ku cak do të ishte infrastruktura kritike, si centralet elektrike.
Nuk mund dyshohet se duke pasur parasysh shkatërrimin e pandërprerë që Irani ka pësuar qëkur Trumpi nisi Operacionin Furia Epike [Epic Fury] në fund të shkurtit, iranianët nuk mund të përballojnë luftën aktive për shumë kohë. Me pjesën më të madhe të instalimeve ushtarake dhe bërthamore të shndërruara në rrënoja, opsioni i vetëm i Teheranit ishte t’i kthehej praktikës së tij të kahershme për të mbajtur pjesën tjetër të botës peng duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit.
Kjo është pikërisht ajo që Irani u përpoq të bënte në konflikte të mëparshme me ShBA-në, si lufta civile në Liban në vitet ’80 të shekullit XX. Përgjigjja e Teheranit ndaj epërsisë së fuqisë së zjarrit amerikane ishte të merrte dhjetëra civilë perëndimorë peng – përfshirë britanikët Terry Waite dhe John McCarthy – dhe t’i përdorte ata si kartë negociuese për të detyruar ShBA-në të tërhiqte forcat e saj.
Irani bëri të njëjtën gjë menjëherë pas revolucionit islamik të vitit 1979, kur mbajti 52 diplomatë dhe civilë amerikanë peng për më shumë se një vit pasi sulmoi ambasadën e ShBA-së në Teheran. Kriza konsiderohet se i dha fund presidencës së Jimmy Carterit, i cili ra nga detyra në zgjedhjet e vitit pasues.
Është e vërtetë që iranianët kanë qenë më novatorë kësaj here. Por, bllokada e tyre efektive e Ngushticës së Hormuzit ka qenë akt dëshpërimi që ka pasqyruar paaftësinë e tyre për t’u përballur në mënyrë konvencionale me fuqinë e zjarrit të ShBA-së. Ajo gjithashtu ka pasur kosto të mëdha për vetë Iranin, duke pasur parasysh se ka armiqësuar shtetet e Gjirit. Vendet që dikur kishin marrëdhënie të paqarta me Teheranin, tani ashiqare mund të jenë në kampin kundër Iranit.
Irani ka ndërmarrë gjithashtu sulme të paprovokuara kundër infrastrukturës kritike të shteteve të Gjirit – një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, nëse ka pasur ndonjëherë të tillë. Por, ajatollahët nuk kanë treguar kurrë shumë respekt për detyrimet ndërkombëtare, qoftë në lidhje me paraqitjen e një deklarimi të plotë dhe të saktë për aktivitetet e tyre bërthamore, apo në mbështetjen për grupet terroriste islamiste. Mbretëritë e naftës në Lindjen e Mesme nuk do të pranojnë pafundësisht kontrollin iranian të Ngushticës së Hormuzit, përfshirë vendosjen e tarifave ndëshkuese për transportin tregtar.
Prandaj, nuk ka gjasa që Trumpi të bjerë në të njëjtin kurth si Carteri, duke lejuar veten të mbahet peng nga një Iran i rraskapitur. Në çdo rast, ushtria amerikane – së bashku me aleatët izraelitë – tashmë ka arritur një fitore ndaj Iranit në fushën e betejës, një fitore që mund të zgjerohet edhe më tej nëse iranianët tregohen kokëfortë në bisedimet e ardhshme që synojnë ta bëjnë armëpushimin të përhershëm. Analiza më e fundit e Pentagonit tregon se Irani ka pësuar humbje shkatërrimtare në një sërë frontesh, duke përfshirë 80 përqind të mbrojtjes së tij ajrore, pothuajse shkatërrimin e plotë të flotës detare dhe asgjësimin e objekteve të prodhimit të armëve.
Është vërtet shumë absurde të sugjerohet, siç duket se po bëjnë disa “ekspertë” perëndimorë të politikës së jashtme, se vendimi i Trumpit për të pranuar armëpushimin në momentin e fundit paraqet një kapitullim.
Me shumicën e liderëve kyçë të regjimit iranian ose të vdekur ose të paaftë për shkak të plagëve – përfshirë, sipas raportimeve, Mojtaba Khamenein, udhëheqësin e ri suprem të vendit – Teherani tani ndodhet në opsionin e mbijetesës, duke bërë në mënyrë të dëshpëruar çdo gjë që do t’i mundësojë Republikës Islamike të mbetet në pushtet.
Tani është jetike që ShBA-ja dhe aleatët e saj të mbajnë presionin mbi Teheranin për t’i dhënë fund kërcënimit ndaj Hormuzit dhe për t’u siguruar që çdo marrëveshje paqeje, që mund të dalë, të detyrojë Iranin të pranojë kushtet kyçe, si braktisja e ambicieve të tij bërthamore. Duke qenë kërcënimi nga programi bërthamor i Iranit një nga justifikimet kryesore për rifillimin e armiqësive, Trumpi tha se ShBA-ja do të punojë ngushtë me Iranin për të larguar rezervat “e fshehura thellë” të uraniumit të vendit që janë thelbësore për ndërtimin e kokave bërthamore.
Lufta me Iranin mund të ketë demonstruar fuqishëm dominimin ushtarak të Amerikës, por ajo gjithashtu ka nxjerrë në pah dobësinë e brendshme të aleatëve ushtarakë të Uashingtonit, veçanërisht të Mbretërisë së Bashkuar, e cila pati vështirësi të mobilizonte qoftë edhe një anije luftarake, ndërsa pasojat ekonomike të konfliktit filluan të ndiheshin më gjerë.
Në vend që të mbështesnin përpjekjen amerikane, Sir Keir Starmer dhe liderë të tjerë evropianë e bënë të qartë se nuk ishin të gatshëm të përfshiheshin ushtarakisht në Gjirin Persik derisa armiqësitë të përfundonin.
Është koha që Britania dhe aleatët e saj evropianë të përmbushin zotimin e tyre për të mbrojtur rrugët detare në Gjirin Persik nga aktet e tjera të agresionit iranian. Tekefundit, kjo është arsyeja – të paktën kështu na është thënë – pse Starmeri dhe sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper, kanë qenë të angazhuar duke zhvilluar kaq shumë takime me liderë perëndimorë në javët e fundit.
Pasi dështuan në mënyrë kaq të dukshme për të mbrojtur interesat dhe aleatët e tyre në kulmin e konfliktit me Iranin, liderët evropianë duhet të tregojnë se të paktën janë të gatshëm të kontribuojnë në operacione paqeruajtëse, veçanërisht kur ato përfshijnë mbrojtjen e një prej rrugëve më jetike tregtare në botë.
Dështimi për ta bërë këtë do të konfirmonte thjesht pikëpamjen, si te aleatët ashtu edhe te kundërshtarët, se evropianët nuk kanë më asnjë kontribut domethënës për të dhënë në garantimin e sigurisë globale. /Telegrafi/





