Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka mirëpritur fëmijët kosovarë që morën pjesë në Olimpiadën Einstein në Berlin, ku ata patën mundësinë të dëshmojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në Matematikë dhe Shkencë, shkruan Telegrafi.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e pjesëmarrësve, duke shprehur krenarinë për paraqitjen e tyre në këtë olimpiadë.
“Jemi krenarë për angazhimin, përkushtimin dhe guximin e secilit prej tyre për të sfiduar veten dhe për të treguar njohuritë e fituara!”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Në këtë rast, Ambasada u ka uruar fëmijëve suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre drejt dijes.
Po ashtu, ka falënderuar Merita Alickaj Lezin dhe Kosova Global Talent Center për iniciativën dhe organizimin e këtij aktiviteti.
Olimpiada Einstein u ofron të rinjve mundësi për të vënë në provë njohuritë e tyre dhe për të zhvilluar interesimin për shkencën dhe matematikën./Telegrafi/