Xabi Alonso pritet të rikthehet në bankinë sezonin e ardhshëm, dhe destinacioni më i mundshëm duket të jetë Liga Premier, ku dy gjigantë si Liverpool dhe Manchester City po e monitorojnë nga afër situatën e tij.
Pas një periudhe të shkurtër në krye të Real Madrid, që përfundoi me shkarkim pas humbjes 3-2 ndaj Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës, Alonso është gati për një sfidë të re.
Pavarësisht këtij episodi, reputacioni i tij mbetet shumë i lartë falë suksesit të jashtëzakonshëm me Bayer Leverkusen, ku fitoi titullin në Bundesliga pa asnjë humbje dhe gjithashtu Kupën e Gjermanisë.

Liverpool dhe Man City në garë për spanjollin
Sipas raportimeve nga mediat britanike, Alonso është një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Liverpoolit nëse pozita e Arne Slot vihet në pikëpyetje.
Presioni mbi trajnerin holandez është rritur ndjeshëm pas humbjes së thellë 4-0 ndaj Manchester City në çerekfinalet e FA Cup, si dhe formës së dobët në kampionat.
Alonso ka një lidhje të fortë me Liverpoolin, pasi gjatë karrierës si lojtar fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2005 me “The Reds”, çka e bën një zgjedhje shumë tërheqëse për klubin.
Në anën tjetër, edhe Manchester City po e konsideron Alonson si pasues të mundshëm të Pep Guardiola. Ka shumë spekulime se sezoni aktual mund të jetë i fundit i teknikut spanjoll në “Etihad”, duke hapur rrugën për një projekt të ri. /Telegrafi/





