Aleati i Trumpit që dha dorëheqjen për shkak të luftës me Iranin nën hetim të FBI-së

“Federal Bureau of Investigation” (FBI) po heton nëse Joe Kent, i cili këtë javë dha dorëheqje nga posti i një zyrtari të lartë kundër terrorizmit në shenjë proteste ndaj luftës kundër Iranit, ka shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfid...

Bota

“Federal Bureau of Investigation” (FBI) po heton nëse Joe Kent, i cili këtë javë dha dorëheqje nga posti i një zyrtari të lartë kundër terrorizmit në shenjë proteste ndaj luftës kundër Iranit, ka shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale, tha të mërkurën një person i njohur me rastin.

Hetimi është nisur para dorëheqjes së Kentit të martën nga posti i drejtorit të Qendrës Kombëtare për Luftën kundër Terrorizmit të qeverisë amerikane, sipas të njëjtit burim, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak se hetimi i FBI-së është ende në zhvillim.

Hetimi po zhvillohet në një kohë kur Departamenti amerikan i Drejtësisë gjatë vitit të kaluar ka nisur disa procese kundër kundërshtarëve politikë të presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë ish-drejtorin e FBI-së, James Comey dhe prokuroren e përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James.

Prokurorët shpesh kanë hasur vështirësi për të mbajtur akuzat në gjykatë për shkak të vendimeve të gjyqtarëve, madje ndonjëherë edhe për të siguruar ngritjen e aktakuzave, shkruan newyorktimes.

Detaje shtesë mbi fokusin e saktë të hetimit, për të cilin raportoi i pari Semafor, nuk ishin menjëherë të disponueshme.

Kenti e njoftoi dorëheqjen nga posti në administratë përmes një deklarate në rrjetin social X, ku shprehu shqetësimin për arsyetimin e sulmeve ushtarake ndaj Iranit dhe tha se “nuk mund ta mbështesë me ndërgjegje të pastër” luftën kundër Iranit.

“Irani nuk paraqiste një kërcënim të menjëhershëm për vendin tonë dhe është e qartë se këtë luftë e kemi nisur për shkak të presionit të Izraelit dhe lobit të tij të fuqishëm në SHBA”, shkroi Kenti.

Trump më vonë u tha gazetarëve se gjithmonë e kishte konsideruar Kentin “të dobët në çështjet e sigurisë” dhe shtoi se, nëse dikush në administratën e tij nuk beson se Irani përbën kërcënim, “nuk i duam ata njerëz”.

Zyrtarë të tjerë të administratës së Trumpit, përfshirë drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, ndërkohë janë distancuar nga Kenti dhe vlerësimet e tij.

Të mërkurën në mbrëmje, Kentit iu la një mesazh zanor përmes ish-menaxherit të fushatës së tij, me kërkesë për koment. /Telegrafi/