Sipas rezultateve të para të testeve për ulëset e fëmijëve që po zhvillohen nga klubet e automjeteve në Evropë, disa modele në treg kanë shfaqur rezultate shumë të dobëta në testet e sigurisë, veçanërisht në testet e përplasjes frontale.
Problemi kryesor i identifikuar është se, te disa prej këtyre ulëseve, ekziston rreziku që vetë ulësja të shkëputet nga baza gjatë përplasjes, duke e rritur ndjeshëm rrezikun për lëndim serioz të fëmijës.
Sipas ekspertëve, disa nga këto produkte kanë në thelb të njëjtin dizajn dhe strukturë, edhe pse shiten me emra të ndryshëm në platforma të ndryshme online, përfshirë Alibaba.

Si shembull, ato mund të gjenden me emra të ndryshëm si Kids Zone i-Size 360, Kidiz 360, Xomax 946i, Ding Aiden 360, Buf Boof Tweety Plus, Miophy i-Size 360 apo Lettas i-Size 360. Edhe pse paraqiten si produkte të ndryshme në treg, në realitet ato janë pothuajse identike në ndërtim dhe kanë të njëjtat mangësi të sigurisë.
Probleme të rëndësishme janë identifikuar edhe te modeli Kinderkraft Mink Pro 2, i destinuar për fëmijë me gjatësi 40–87 cm. Në testin e përplasjes frontale, është vërejtur se ulësja shkëputet nga baza Base Mink FX2 Isofix dhe del jashtë vendit të saj, duke u zhvendosur me forcë gjatë impaktit.
Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë që ky model të përdoret pa bazën Isofix, duke u fiksuar vetëm me rripin e sigurimit të automjetit, si një mënyrë më e sigurt përdorimi në kushte reale.
Në të njëjtën kohë, specialistët theksojnë se testet e përplasjes të kryera nga klubet evropiane të automjeteve janë dukshëm më të ashpra sesa standardet ligjore minimale. Ato simulojnë skenarë më ekstremë të aksidenteve, çka do të thotë se edhe produkte që kalojnë kërkesat bazë të sigurisë mund të mos përballojnë këto testime më rigoroze.
Për këdo që po blen një ulëse për fëmijë, rekomandimi i HAK është të shikoni rezultatet e testeve të sigurisë nga organizatat e pavarura para se ta blini, dhe të siguroheni që ulëset janë ndër ato me rezultate të mira në prova reale. /Telegrafi/





