Agjenti në bisedime me Barcelonën për transferimin e yllit të Manchester Cityt

Barcelona ka përfituar shumë nga tregu i lojtarëve të lirë në vitet e fundit dhe mund ta eksplorojë sërish këtë opsion gjatë verës. Këtë herë, katalanasit mund të synojnë një futbollist që e kanë në radar prej kohësh. Një mbrojtës qendror dhe një sul...

Sport

Barcelona ka përfituar shumë nga tregu i lojtarëve të lirë në vitet e fundit dhe mund ta eksplorojë sërish këtë opsion gjatë verës. Këtë herë, katalanasit mund të synojnë një futbollist që e kanë në radar prej kohësh.

Një mbrojtës qendror dhe një sulmues janë në agjendën e klubit, ndërsa gjithashtu duhet marrë një vendim për lojtarët e huazuar si Joao Cancelo dhe Marcus Rashford.

Nëse ndonjëri prej tyre nuk qëndron, do të nevojitet një zëvendësim. Përveç kësaj, Barcelona po shqyrton mundësinë për të shtuar edhe një mesfushor në skuadër, konkretisht Bernardo Silva.

Silva pritet të largohet nga Manchester City kur kontrata e tij të përfundojë në muajin qershor, dhe synimi i tij është një transferim te Barcelona, në “Spotify Camp Nou”.

Agjenti i tij, Jorge Mendes, i cili ka marrëdhënie të ngushta me presidentin e rizgjedhur të Barcelonës, Joan Laporta, ka nisur punën për të siguruar këtë transferim. Sipas raportimeve, po bëhen përpjekje për të bindur trajnerin Hansi Flick dhe drejtorin sportiv Deco që të japin miratimin për këtë lëvizje.

Mendes beson se Silva mund të luajë një rol të rëndësishëm te Barcelona për të paktën disa vitet e ardhshme, pasi shkathtësia e tij, cilësia teknike dhe përgatitja fizike e shkëlqyer konsiderohen si elemente që mund t’i ndihmojnë katalanasit në rikthimin e dominimit në Evropë.

Megjithatë, Barcelona ka disa dyshime për këtë transferim. Fakti që Silva është 32 vjeç nuk është në favor të tij, ndërsa ai aktivizohet në pozicione ku aktualisht nuk ka nevojë të madhe për përforcime.

Portugezi ndihet më komod si “numër 10” ose në krahun e djathtë, role këto që tashmë mbulohen nga lojtarë si Fermin Lopez, Dani Olmo dhe Lamine Yamal./Telegrafi/