Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi me kryeministrin Albin Kurti është zhvilluar në frymë diskutimi për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Pas takimit, Abdixhiku theksoi se LDK-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se pushteti nuk duhet të përqendrohet në një parti të vetme.
“LDK vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Për çështje tjera kemi dakordim për konfidencialitet mes palëve”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se aktualisht nuk ka ende marrëveshje konkrete, por po vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje përmes dialogut.
“Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët konsensuale me takime dhe do ta ndjekim këtë rrugë sa herë të mundemi për të shmangur zgjedhjet”, u shpreh ai para mediave.
Abdixhiku shtoi se diskutimet deri tani janë fokusuar në parimet bazë të procesit, e jo në emra konkretë.
“Njëherë duhet të merremi rreth parimeve të procesit, pra a duhet të kemi një situatë ku të gjitha pozicionet institucionale i takojnë një partie politike, e më pas nëse jo, si do të duket kjo marrëveshje”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, ende nuk është arritur në fazën e diskutimeve për poste konkrete.
“Ende nuk kemi diskutime konkrete për pozicione. Diskutuam për natyrën dhe modalitetet e kësaj zgjidhjeje, nuk kemi emra konkret, nuk kemi arritur në atë fazë”, tha kreu i LDK-së.
Kreu i LDK-së paralajmëroi se nëse nuk ka progres në javët në vijim, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Po përpiqemi për zgjidhje derisa ka takime. Nëse nuk bëjmë asgjë për tri javët e ardhshme, zgjedhjet i kemi të pashmangshme”, tha ai.
Takimet mes pozitës dhe opozitës pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri. /Telegrafi/





