Shenjat në skajet e gjuhës shpesh janë të padëmshme, por ndonjëherë lidhen me mungesë vitaminash, stres, dehidrim dhe çrregullime të frymëmarrjes gjatë natës
Me siguri nuk kaloni shumë kohë duke e vëzhguar gjuhën, por kjo pjesë e trupit mund të zbulojë shumë për shëndetin tuaj. Merrni për shembull formën e saj. Gjuha me gjurmë anash është gjendje kur, siç tregon edhe emri, shfaqen “gropëza ose shenja në anët e gjuhës”, dhe kjo mund të jetë sinjal që t’i kushtoni vëmendje disa gjendjeve shëndetësore.
Siç ka shpjeguar për HuffPost dr. Niraj Panchal, shef i kirurgjisë orale dhe maksilofaciale, pamja e ndryshuar zakonisht krijohet sepse gjuha shtyp vazhdimisht mbi dhëmbët. Kjo gjendje, e njohur edhe si gjuhë e dhëmbëzuar, vërehet kur e nxirrni gjuhën jashtë, ndërsa dallohen fryrje ose valëzime të parregullta në skaje.

Gjuha e dhëmbëzuar ka shenja të dhëmbëve në anët e saj
Nëse keni një gjuhë të tillë, mund të keni mungesë vitaminash, veçanërisht të vitaminave të grupit B, si B12, acidi folik (B9) dhe riboflavina (B2). Kjo mund të çojë në ënjtje të gjuhës, si edhe në probleme të tjera në gojë, si inflamacioni i mishrave të dhëmbëve.
Kjo ënjtje mund të bëjë që gjuha të shtypë mbi dhëmbët dhe të krijojë pamjen e dhëmbëzuar. Këto vitamina janë të rëndësishme për ripërtëritjen e qelizave dhe ruajtjen e indeve të shëndetshme të mukozës së gojës.
Një tjetër shkak i mundshëm i kësaj gjendjeje janë zakonet e këqija orale, si shtrëngimi ose kërcitja e dhëmbëve. Këto sjellje janë të shpeshta te njerëzit që përballen me stres të madh ose ankth. Kjo krijon presion shtesë në anët e gjuhës dhe mund të sjellë këtë pamje.
Edhe marrja e pamjaftueshme e lëngjeve mund të shkaktojë ënjtje të indeve në trup, përfshirë edhe gjuhën.
Gjithashtu nuk përjashtohen as faktorët anatomikë, si qiellza e ngushtë ose shumë e harkuar, apo nofulla e tërhequr mbrapa, të cilat e kufizojnë hapësirën dhe e detyrojnë gjuhën të shtypë mbi dhëmbët, transmeton Telegrafi.
Apnea obstruktive e gjumit është çrregullim ku frymëmarrja ndërpritet disa herë gjatë natës për shkak të bllokimit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Kjo gjendje, që përfshin simptoma si gërhitje e fortë dhe përgjumje gjatë ditës, është më e shpeshtë te njerëzit me disa veçori anatomike, si nofulla e vogël ose gjuhë e madhe.
Gjendje të tilla shpesh lidhen me mungesë hapësire për gjuhën gjatë gjumit.
Nëse nuk trajtohet, apnea obstruktive e gjumit mund të ketë pasoja serioze shëndetësore, si rritja e rrezikut për probleme të zemrës dhe enëve të gjakut.
Në të njëjtën kohë, nuk duhet përjashtuar as problemi me gjëndrën tiroide. Hipotireoza është gjendje kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm hormone të tiroides. Te disa njerëz kjo mund të shkaktojë ënjtje të gjuhës, duke e shtypur më fort mbi dhëmbët.
Simptoma të tjera përfshijnë lodhje, shtim në peshë, vështirësi në përballimin e të ftohtit dhe rrallim të flokëve.
Të kesh gjuhë të dhëmbëzuar, në vetvete, zakonisht nuk është e dëmshme. Megjithatë, nëse gjendja është e vazhdueshme, mund të jetë shenjë e një problemi shëndetësor që kërkon vëmendje.
Prandaj është e rëndësishme të zbulohet shkaku kryesor. Në përgjithësi, është ide e mirë të konsultoheni me mjekun ose stomatologun sa herë që vini re ndryshime të pazakonta në gojë ose në gjuhë. Nëse keni edhe simptoma të tjera shoqëruese, duhet të paraqiteni te mjeku sa më shpejt. /Telegrafi/





