Pas një paraqitjeje të vështirë ndaj Manchester Cityt, ku arritën të sigurojnë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, një tjetër sfidë e vështirë e pret Real Madridin në vikend.
‘Los Blancos’ do të përballen me rivalët e përjetshëm, Atletico Madrid, në derbin që do të zhvillohet të dielën në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle AS, një lajm i madh për Real Madridin është rikthimi i Kylian Mbappe në formacionin titullar.

Hera e tij e fundit si titullar me ‘Los Blancos’ ishte pikërisht një muaj më parë, më 21 shkurt kundër Osasunas, në një ndeshje ku nuk ishte në formën më të mirë për shkak të shqetësimeve në gju.
Pas afro një muaji jashtë fushave, gjatë së cilit humbi pesë ndeshje, Mbappe u rikthye këtë javë, duke luajtur mbi 20 minuta në përballjen ndaj Manchester City në stadiumin ‘Etihad’.
Sipas raportit, sulmuesi 27-vjeçar është rikthyer në stërvitje me kapacitet të plotë dhe pritet të jetë pjesë e formacionit titullar të dielën kundër Atletico Madridit.
Megjithatë, rikthimi i tij në formacionin startues mund të sjellë ndryshime në ekip, duke bërë që Brahim Diaz të mbetet jashtë formacionit, pavarësisht paraqitjeve të mira në ndeshjet e fundit.
Ndërkohë, Real Madridi pritet të ketë në dispozicion edhe Alvaro Carreras, ndërsa David Alaba, Jude Bellingham dhe Ferland Mendy gjithashtu pritet të jenë pjesë e skuadrës, pasi kanë lënë pas problemet fizike./Telegrafi/





