Sony ka prezantuar LYTIA 720, një sensor të ri imazhi CMOS të tipit stacked me rezolucion 50 megapikselë, i projektuar për pajisjet mobile. Sensori ka përmasa optike 1/1.56 inç dhe madhësi pikselësh prej 1.0 mikrometri.
Teknologjia e tij bazohet në qarkun e patentuar të Sony-t, Ultra High Conversion Gain (UHCG), i cili synon të përmirësojë fotografimin në kushte me ndriçim të ulët.
Sipas kompanisë, kjo teknologji mundëson reduktimin e zhurmës së rastësishme në imazh deri në 50 për qind, krahasuar me sensorin LYTIA 700, transmeton Telegrafi.
LYTIA 720 kombinon teknologjinë UHCG me sistemin Hybrid Frame-HDR (HF-HDR), duke arritur një gamë dinamike prej 100 dB. Sensori mbështet gjithashtu regjistrimin e videove HDR në rezolucion 4K me 60 kuadro për sekondë, përmes teknologjisë HDR me një kuadër të vetëm.
Sipas Sony-t, këto teknologji mundësojnë fotografi me më shumë detaje në zonat me hije dhe reduktojnë humbjen e detajeve në pjesët shumë të ndriçuara, veçanërisht në skena me kontrast të lartë. Kompania pretendon se rezultatet synojnë të jenë më afër mënyrës se si syri i njeriut percepton një skenë.
Sony ka bërë të ditur se dërgesat e para të sensorit LYTIA 720 për prodhim masiv do të nisin në fillim të muajit të ardhshëm. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com
– YouTube www.youtube.com