Senati francez ka miratuar një projektligj që synon t’i bëjë protestuesit financiarisht përgjegjës për dëmet e shkaktuara gjatë demonstratave, duke parashikuar pagesa deri në 10 mijë euro.
Nisma duhet të shqyrtohet dhe të miratohet edhe nga Asambleja Kombëtare për të hyrë në fuqi, transmeton Telegrafi.
Projektligji u miratua të mërkurën me 229 vota pro dhe 105 kundër, me mbështetjen e një aleance të së djathtës dhe qendrës, e cila ka shumicën në Senat. Tashmë, teksti do të kalojë për debat dhe votim në Asamblenë Kombëtare, ku ndarjet politike mund ta vështirësojnë procesin.
Nisma u paraqit pas trazirave që shpërthyen në maj, pasi Paris Saint-Germain mposhti Arsenalin në finalen e Ligës së Kampionëve. Ajo ka marrë rëndësi të re pas protestave kundër pabarazisë dhe rritjes së çmimeve më 17 tetor, të cilat përfunduan me dhunë dhe dëmtimin ose plaçkitjen e mijëra bizneseve.
Duke folur në parlament, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, theksoi urgjencën për të reaguar ndaj dëmeve dhe skenave të kaosit. “Nuk mund të lejojmë më që shumica dërrmuese e bashkëqytetarëve tanë të paguajë për një pakicë vandalësh”, tha ai.
Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se përgjegjësia financiare mund të shtrihet edhe te personat që nuk i kanë shkaktuar drejtpërdrejt dëmet, nëse konstatohet se kanë marrë pjesë me vetëdije në një grup të krijuar për të kryer akte vandalizmi.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e sekuestrimit të përfitimeve sociale dhe ndihmës për strehim për të mbuluar kostot e dëmeve. Kjo masë ka nxitur kritika nga deputetë të së majtës dhe organizata për të drejtat e njeriut.
Amnesty International ka paralajmëruar se këto masa mund t’i shtyjnë “familjet tashmë të margjinalizuara edhe më tej drejt varfërisë”.
Franca nuk është vendi i vetëm evropian që po shqyrton masa më të ashpra pas protestave të dhunshme. Në Itali, një dekret i ri për sigurinë parashikon dënime më të rënda për pjesëmarrjen në protesta të dhunshme, përfshirë burgim nga katër deri në 12 vjet për organizatorët e grupeve të përfshira në demonstrata të tilla. /Telegrafi/