Dua Lipa shkëlqen në operën Metropolitan me një fustan ekstravagant nga koleksioni i Ferragamos

Magazina

Opera, si një formë arti me traditë shekullore, shpesh shoqërohet me stereotipe për kodet e rrepta të veshjes dhe me debate rreth interesimit gjithnjë e më të vogël të publikut për të. Megjithatë, Dua Lipa duket e vendosur ta ndryshojë këtë perceptim, duke dëshmuar se një mbrëmje në opera mund të jetë edhe një mundësi […]

Madhësia e shkronjave

Opera, si një formë arti me traditë shekullore, shpesh shoqërohet me stereotipe për kodet e rrepta të veshjes dhe me debate rreth interesimit gjithnjë e më të vogël të publikut për të. Megjithatë, Dua Lipa duket e vendosur ta ndryshojë këtë perceptim, duke dëshmuar se një mbrëmje në opera mund të jetë edhe një mundësi për të eksperimentuar me modën.

Në fakt, këngëtarja 31-vjeçare beson se një paraqitje në opera mund të jetë rasti ideal për të veshur një krijim të sapoprezantuar në pasarelat e modës.

Në galanë hapëse të shfaqjes Lincoln in the Bardo, ylli ndërkombëtar tërhoqi vëmendjen në Metropolitan Opera në New York, duke kombinuar stilin e saj modern me preferencën për veshjet që zbulojnë pjesë të trupit.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Ajo kishte zgjedhur një fustan nga koleksioni pranverë 2027 i shtëpisë së modës Ferragamo. Veshja përbëhej nga një pjesë e sipërme e zezë, pa rripa, e cila zgjerohej në një fund të gjatë prej byrynxhyku të lehtë dhe voluminoz.

Pëlhura transparente ishte zbukuruar me fije të arta, kristale dhe elemente vezulluese në nuancë blu oqeani, të cilat reflektonin dritën teksa këngëtarja ecte. Një e çarë e lartë, bishti i gjatë dhe mëngët e gjera, që ngjanin me doreza elegante, i jepnin veshjes një pamje dramatike. Ndërsa këpucët me taka, të zbukuruara me gurë dekorativë, plotësonin paraqitjen luksoze.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Dua ishte mes emrave të njohur që morën pjesë në këtë mbrëmje gala, përfshirë Amy Poehler, Bowen Yang dhe bashkëshortin e saj, Callum Turner. Megjithatë, këngëtarja kishte edhe një arsye të veçantë për ta pritur me entuziazëm shfaqjen.

Lincoln in the Bardo është një përshtatje skenike e romanit historik të George Saunders, i cili fitoi çmimin prestigjioz Booker. Siç e dinë ndjekësit e buletinit të saj kulturor Service95, Dua është prej kohësh adhuruese e këtij autori.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Në tetor të vitit 2024, ajo e kishte përzgjedhur librin e botuar më 2017 si një nga rekomandimet e saj mujore për lexim. Më vonë, e kishte intervistuar edhe vetë Saundersin në podcastin e saj, duke vlerësuar mënyrën se si ai e kishte rrëfyer historinë e vendosur gjatë Luftës Civile Amerikane.

Artistja, fituese e çmimit Grammy, është bërë prej kohësh një burim frymëzimi për brezin e ri, jo vetëm për rekomandimet e librave, por edhe për sugjerimet e restoranteve që ia vlen të vizitohen. Së fundmi, ajo duket se po e zgjeron këtë interesim përmes pjesëmarrjes në shfaqje opere dhe paraqitjeve të menduara me kujdes për këto ngjarje.

Foto: Dua Lipa/Instagram

Vetëm muajin e kaluar, Dua mori pjesë në natën hapëse të operës La Traviata në Metropolitan Opera, ku u shfaq me një krijim të guximshëm nga koleksioni vjeshtë 2026 i Ashi Studio, i frymëzuar nga maskaradat. Veshja e saj përfshinte një korse dhe detaje me pupla.

Fustani i fundit nga Ferragamo dëshmon edhe një herë se stili eksperimental i këngëtares mund të përshtatet me elegancë edhe në ambientet tradicionale të operës. Pas këtyre paraqitjeve, mbetet të shihet nëse ndalesa e saj e radhës do të jetë baleti. /Telegrafi/

Foto: Dua Lipa/Instagram

Foto: Dua Lipa/Instagram

Foto: Dua Lipa/Instagram

Foto: Dua Lipa/Instagram

Foto: Dua Lipa/Instagram

Komentet