Një argjendari në Lion të Francës u bë cak i grabitësve gjatë trazirave të 17 tetorit, ndërsa bashkëpronarja e biznesit, Marie Choquet, i ndoqi ngjarjet drejtpërdrejt përmes kamerave të sigurisë.
Choquet deklaroi se kishte kontaktuar policinë dhe kishte kërkuar mbrojtjen e dyqanit, por sipas saj, autoritetet nuk ndërhynë për ta parandaluar grabitjen.
“Kur dëgjoj politikanët të thonë se është bërë gjithçka që ishte e mundur, e di se kjo nuk është e vërtetë”, tha ajo, duke shprehur zhgënjimin për mënyrën se si u menaxhua situata.
Grabitësit morën stoli, një kasafortë dhe disa telefona iPhone. Njëri prej telefonave të vjedhur u lokalizua më vonë në një dyqan në Vaulx-en-Velin, pranë Lionit. Megjithatë, sipas Choquet, edhe pas njoftimit të policisë, nuk pati ndërhyrje.
Ajo bëri të ditur se sigurimi do t’i mbulojë dëmet, por fillimisht ajo dhe partneri i saj do të duhet të përballojnë shpenzimet për rindërtimin e argjendarisë Koumal Bijoux, të cilën e kishin hapur shtatë vjet më parë.
Rasti ndodhi në një periudhë trazirash dhe protestash në Francë, të nxitura nga pakënaqësitë sociale dhe ekonomike. Në disa qytete, protestat u shoqëruan me përleshje, djegie automjetesh dhe plaçkitje të dyqaneve.
Pas ngjarjeve, autoritetet franceze u bënë thirrje platformave të shitjeve online që të largojnë njoftimet për mallra që dyshohet se janë vjedhur, me qëllim pengimin e rishitjes së tyre.
Ndërkohë, incidenti ka nxitur kritika ndaj autoriteteve për menaxhimin e sigurisë dhe mbrojtjen e bizneseve gjatë trazirave. /Telegrafi/



