Kokolari akuzon CPAC-un se po i jep legjitimitet Vuçiqit: Po bashkëpunoni me rrjetin socialist të Moskës

Nacionale

Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, ka kritikuar organizatorët e Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC) për organizimin e CPAC Balkans në Serbi, një javë para zgjedhjeve, duke vënë në pikëpyetje bashkëpunimin e tyre me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Në një reagim publik, Kokolari iu drejtua Matt Schlapp-it, duke pretenduar se një skenar i ngjashëm ishte tentuar […]

Madhësia e shkronjave

Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, ka kritikuar organizatorët e Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC) për organizimin e CPAC Balkans në Serbi, një javë para zgjedhjeve, duke vënë në pikëpyetje bashkëpunimin e tyre me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një reagim publik, Kokolari iu drejtua Matt Schlapp-it, duke pretenduar se një skenar i ngjashëm ishte tentuar edhe në Shqipëri, një javë para zgjedhjeve të vitit 2025, në bashkëpunim me Sali Berishën, por se ajo kishte ndërhyrë për ta penguar.

Ajo kritikoi gjithashtu, siç u shpreh, mbështetjen e CPAC-ut për politikanë që nuk kanë lidhje me konservatorizmin.

Kokolari ngriti shqetësime për rolin e Aleksandar Vulinit, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë dhe ish-drejtues i shërbimeve inteligjente, i cili, sipas saj, mund të jetë kandidat për president të Serbisë, në një skenar ku Vuçiq do të merrte postin e kryeministrit.

Ajo theksoi se Vulini është themelues i Lëvizjes së Socialistëve, parti që, sipas raportimeve të cilave u referohet, drejtohet tashmë nga vëllai i tij dhe është ndër themeluesit e SOVINTERN-it, një rrjet socialist dhe komunist i krijuar në Moskë në fillim të këtij viti.

“Ky është bashkëpunimi për CPAC Balkans?”, pyeti Kokolari, duke vënë në pikëpyetje përputhshmërinë e këtij bashkëpunimi me vlerat konservatore amerikane.

Në reagimin e saj, ajo kujtoi gjithashtu të kaluarën politike të Vuçiqit, i cili ka qenë pjesë e Partisë Radikale Serbe dhe ministër i Informacionit gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Kokolari përmendi edhe pretendimet që lidhen me të ashtuquajturin “Sarajevo Safari”, çështje që, sipas saj, po hetohet nga autoritetet në Milano. Pretendimet lidhen me akuza se shtetas të huaj të pasur kanë udhëtuar gjatë rrethimit të Sarajevës për të qëlluar civilë. Vuçiqi është akuzuar për përfshirje, por i ka mohuar këto akuza. Ajo theksoi se prania e tij në atë zonë, e pretenduar përmes videove që kanë qarkulluar, nuk dëshmon vetvetiu përfshirjen në krimet e pretenduara.

Kokolari kërkoi që organizatorët e CPAC-ut ta mbajnë konferencën larg kësaj çështjeje derisa të përfundojë hetimi.

Ajo ngriti gjithashtu pyetje për financimin e CPAC Balkans, duke pretenduar se Newsmax Balkans është kryesisht në pronësi të Telekom Srbija, kompanisë shtetërore serbe të telekomunikacionit.

Në përfundim, Kokolari paralajmëroi se CPAC rrezikon të përdoret për t’u dhënë legjitimitet politik figurave autoritare, duke theksuar se konservatorizmi amerikan nuk duhet të shërbejë si mbulesë për politikanë me të kaluar të diskutueshme lidhur me korrupsionin dhe akuzat për krime lufte./Telegrafi.

Komentet