Shumica kanë ulur qepenat dhe kanë larguar mallin.
Kjo është gjithçka që ka mbetur nga godina e një filiali banke pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Zjarri shkrumboi zyrat e institucionit financiar, ku në mesin e përplasjeve të forta me policinë, protestuesit sulmuan edhe bizneset private aty pranë, duke iu vënë zjarrin.
Xhama të thyer dhe çdo gjë tjetër brenda e djegur, duket edhe në këto biznese tek piramida, që nuk i shpëtuan gjithashtu sulmeve.

Biznese të dëmtuara ka edhe te rruga “Myslym Shyri”, si ky pranë Gjykatës së Lartë, zjarri i të cilit rrezikoi edhe institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.
Një operator telefonik aty pranë është sulmuar gjithashtu, ndërsa në trotuar kanë mbetur ende xhamat e thyer.
Një pjesë e madhe e bizneseve në rrugën “Myslym Shyri” kanë ndërprerë aktivitetin dhe kanë larguar mallin.
“Ju lutem mos na dëmtoni! Jemi me ju! Ky është mesazhi që ka zgjedhur ky biznes në rrugën “Myslym Shyri për protestuesit, që këta të fundit të mos e sulmojnë”.
Mesazhe të tilla i sheh kudo në bizneset e rrugëve pranë qendrës, si një thirrje për të mos u dëmtuar.
Situatë më e vështirë duket tek rruga e Durrësit, ku aktiviteti tregtar duket i paralizuar plotësisht.
Bizneset në të dyja anët e rrugës kanë mbyllur qepenat. Edhe tek to nuk mungojnë mesazhet ndaj protestuesve që të mos i sulmojnë.
Më të prekura gjatë ditëve të protestës janë institucionet financiare. Sipas ministrisë së Ekonomisë 38 degë bankare dhe 42 bankomate janë dëmtuar në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit ku janë zhvilluar protesta.
Ndërkohë, qeveria ka deklaruar se bizneset e dëmtuara do të dëmshpërblehen. Përmes shërbimit elektronik “Dëmi im” në e-Albania, subjektet tregtare mund të raportojnë dëmet e pësuara.
Nga ana tjetër në terren janë disa ekipe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në terren të cilat po bëjnë verifikime./Tv Klan





