Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar planin e punës për sesionin vjeshtor të legjislaturës, i cili parasheh takime me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, raportime të ministrave dhe bashkëpunim me organizatat joqeveritare.
Kryetarja e komisionit, Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se gjatë muajit tetor është planifikuar një takim me kryenegociatorin për integrim evropian, Jeton Zulfaj, ku do të diskutohen zhvillimet e fundit në këtë proces dhe takimet e tij në Bruksel.
Ajo ka shtuar se gjatë muajit nëntor komisioni parasheh takime me zyrtarë dhe ambasadorë të BE-së, pritjen e delegacioneve dhe bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në Kosovë.

Ndërkaq, për muajin dhjetor, sipas Lushakut, janë planifikuar raportime të ministrave para komisionit, si dhe një takim plenar në kuadër të aktiviteteve për integrimin evropian.
“Kemi caktuar një takim gjatë muajit tetor me kryenegociatorin për integrim evropian, i cili është caktuar nga Kryeministria. Do ta thërrasim këtu dhe do të bisedojmë për proceset që po shtyhen përpara, si dhe për takimet e fundit që ka zhvilluar në Bruksel. Për muajin nëntor kemi paraparë takime me zyrtarë nga BE-ja, pritjen e delegacioneve, por edhe, në veçanti, me Zyrën e BE-së në Kosovë…Në muajin dhjetor kemi paraparë që, përveç ministrave që do t’i ftojmë për raportim, të kemi edhe takimin plenar në Kosakut, për çka do të jetë një takim plenar dhe do të ketë pjesëmarrës nga ky komision për përfaqësimin e Kosovës. Do të propozoja të bëjmë një takim të përbashkët edhe me organizatat joqeveritare, për të parë se çfarë na rekomandojnë në procesin e integrimit evropian”, tha ajo.
Në këtë mbledhje, anëtarja e komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka propozuar që Kosova të shkëmbejë përvoja me Malin e Zi dhe Shqipërinë, dy vende të rajonit që po avancojnë në procesin e anëtarësimit në BE.
Gashi ka vlerësuar se një bashkëpunim i tillë do t’u mundësonte komisioneve përkatëse të diskutonin për përvojat dhe sfidat në rrugën drejt integrimit evropian.
“Do të ishte mirë të kemi perspektivën nga Mali i Zi dhe Shqipëria, si dy vende që janë duke lëvizur në drejtim të BE-së, dhe me komisionet përkatëse të kemi një takim pune në Prishtinë”, tha ajo.
Ky plan i punës u mbështet nga të gjithë anëtarët e komisionit. /kp/





