Shiroka-Pula dekoron senatoren Shaheen, kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Nacionale

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të hënën në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së, duke e cilësuar atë si aleate strategjike dhe […]

Madhësia e shkronjave

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të hënën në takim senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së, duke e cilësuar atë si aleate strategjike dhe partnere të pazëvendësueshme të Kosovës.

Në këtë kontekst, presidentja ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të Dialogut Strategjik me SHBA-në, si instrument për thellimin e partneritetit dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Ajo ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një nga synimet kryesore të vendit.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Shiroka-Pula.

Presidentja ka falënderuar në veçanti senatoren Jeanne Shaheen për angazhimin dhe kontributin e saj të vazhdueshëm ndaj Kosovës.

Ajo ka vlerësuar qëndrimin e Shaheen në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, duke e cilësuar si të rëndësishme letrën që senatorja i ka dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me këtë çështje.

Sipas presidentes, prania ushtarake amerikane ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e tensioneve në rajon.

Shiroka-Pula ka rikujtuar gjithashtu reagimin e senatores Shaheen pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe thirrjen e saj për vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj, presidentja i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon.

Sipas njoftimit, kjo është dekorata e parë që Shiroka-Pula ka ndarë që nga marrja e mandatit të presidentes./Telegrafi/