Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Andy Burnham mbajtën fjalime të enjten në Berlin, në Kancelari, ku po zhvillojnë takimin e tyre.
Dhe sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, duke folur i dyti, kryeministri britanik tha se ishte “i lumtur që ndodhej aty” për të ratifikuar Traktatin e Kensingtonit – një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi e nënshkruar vitin e kaluar nga Merz dhe Sir Keir Starmer.
Më pas, ai theksoi se Londra dhe Berlini janë “më të forta së bashku” dhe se bisedimet e sotme do të përqendroheshin te siguria, por do të përfshinin gjithashtu teknologjinë, partneritetet ekonomike dhe çështje të tjera.
Burnham iu përgjigj gjithashtu zërave të shumtë rreth një mundësie për anulimin e Brexit-it, pasi disa nga komentet e tij të fundit lanë të hapur derën për një rikthim të Mbretërisë së Bashkuar në BE.
Ai i tha Merzit se e priste me interes samitin Mbretëri e Bashkuar-BE, të planifikuar për muajin e ardhshëm, dhe shpresonte se puna aty mund ta “afronte Mbretërinë e Bashkuar me Evropën”.
Çështjet me “interes të veçantë”, për të cilat Burnham shpresonte të kishte më shumë përafrim qëndrimesh, ishin rritja ekonomike dhe emigracioni.
Veç këtyre, vënë në pah mediat britanike, Burnham tha se ishte i hapur që Gjermania t’i bashkohej programit GCAP.
Ky program ka të bëjë me zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të aeroplanëve luftarakë dhe në të përfshihen tashmë Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia.






