Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në një konferencë për media ka folur për shumë çështje që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale dhe dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo është pyetur edhe lidhur me mjetet financiare dhe aludimet se çështja e mbrojtjes mund të jetë problem për arsye financiare.
“Nuk është vendim i ministrit, as i ndonjë zyrtari sa fonde ndahen. Është një zotim që Kosova e ka bërë në kuadër të miratimit të atëhershëm të ndryshimeve kushtetuese, të miratimit të Ligjit…”, tha ajo.

Sipas saj, deri në shtator 2026 nga buxheti i Kosovës janë paguar gjithsej 40 milionë e 611 mijë e 855 euro për mbrojtjen dhe obligimet tjera që lidhen me zbatimin e këtij mekanizmi.
Tutje, ajo njoftoi se nga kjo shumë 39 milionë e 787 mijë euro janë shpenzuar për mbrojtje juridike.
Ndërsa, vetëm për katër personat e akuzuar sipas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës, të datës 16.09.2026 shuma totale e pagur është 28 milionë e 470 mijë.
Ministrja Gërvalla tutje tha se Ministria e Drejtësisë nuk ka detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi.
“Për vitin 2026 buxheti i ndarë për këto shpenzime është 8 milionë e 50 mijë. Deri në periudhën për të cilën janë raportuar të dhënat janë shpenzuar 4 milionë e diçka”, tha ajo.
“Në asnjë moment nuk kam parë tendencë as para se të vija në këtë ministri, as sot që e drejtoj këtë ministri që mjetet financiare të jenë sfida për të cilën do të mund të mos vendosej drejtësia edhe në Hagë”, tha ajo.
Gërvalla po ashtu u përgjigj edhe në pyetjen pse nuk ka folur fare për vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale, ku u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim.
“Si ministre e Drejtësisë nuk më takon të jap cilësime për një vendim të cilën as aktgjykimin nuk e kam lexuar, por mbi të gjitha i cili është në procesin e ankesës. Duhet ta ruajmë seriozitetin institucional. Cilësime mund të jap si njeri privat, por nuk më takon si ministre e drejtësisë”, tha ajo. /Telegrafi/





