SHBA-ja pritet të rrisë praninë e saj ushtarake në Australi, ndërsa një njoftim për këtë pritet në muajt e ardhshëm.
Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC) raportoi se ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, pas takimit në Washington me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se prania ushtarake amerikane në Australi “do të rritet më tej”.
Qeveria australiane tha se Marles dhe Hegseth diskutuan mbi zgjerimin e pranisë amerikane në bazat ushtarake australiane.
Washingtoni tashmë mban një prani ushtarake në Australi përmes marrëveshjeve ekzistuese për dislokimin e forcave.
Australia nënshkroi “marrëveshje për dislokimin e forcave” me Washingtonin në vitin 2014, me synim vendosjen e një pranie afatgjate të forcave amerikane në Australi, duke thënë se kjo do të ndihmonte në sigurimin e stabilitetit rajonal dhe do të mbështeste reagimin e shpejtë ndaj fatkeqësive humanitare.
“Që kur kemi ardhur në qeveri, mund të shihet një vijimësi e qartë e rritjes së pranisë së forcave amerikane në Australi dhe ne mendojmë se kjo është vërtet e rëndësishme për sigurimin e parandalimit në Indo-Paqësor si dhe për garantimin e stabilitetit dhe paqes në Indo-Paqësor”, tha Marles.
Pentagoni tha se të dyja palët planifikojnë të rrisin praninë ushtarake amerikane në Australi duke përshpejtuar “nismat për dislokimin e forcave në bazat australiane”.
“Sekretari Hegseth theksoi nevojën që aleatët e aftë të kontribuojnë në mbrojtjen kolektive dhe të investojnë në sigurinë e tyre sovrane”, thuhet në deklaratë.
Marles u takua gjithashtu me kompani të inteligjencës artificiale dhe tha se njoftimet për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane priten në muajt e ardhshëm.
Ai rikonfirmoi besimin se Australia do ta marrë në kohën e planifikuar nëndetësen e saj të parë të klasës “Virginia”.
Sipas marrëveshjes AUKUS, Australia do të blejë nga SHBA-ja tri nëndetëse të përdorura të klasës “Virginia” gjatë viteve 2030 ndërsa e para pritet të dorëzohet në vitin 2032. Presidenti i SHBA-së që do të jetë në detyrë në atë kohë do të ketë fjalën përfundimtare për miratimin e shitjes, duke marrë parasysh edhe nevojat e vetë Washingtonit. /AA/






