Nga Muriqi e Vojvoda te Gjimshiti, Asllani e Daku – afatit kalimtar veror nuk i shpëtuan as yjet e Kosovës dhe Shqipërisë

Sport

Nga rikthimi i Vedat Muriqit te Fenerbahçe dhe transferimi i madh i Mirlind Dakut te Spartak Moska, deri te aventurat e reja të Berat Gjimshitit, Kristjan Asllanit, Mario Mitajt dhe shumë emrave të tjerë, vera e vitit 2026 solli lëvizje të shumta dhe interesante për futbollistët shqiptarë në kampionate të ndryshme evropiane dhe aziatike. Afati […]

Madhësia e shkronjave

Nga rikthimi i Vedat Muriqit te Fenerbahçe dhe transferimi i madh i Mirlind Dakut te Spartak Moska, deri te aventurat e reja të Berat Gjimshitit, Kristjan Asllanit, Mario Mitajt dhe shumë emrave të tjerë, vera e vitit 2026 solli lëvizje të shumta dhe interesante për futbollistët shqiptarë në kampionate të ndryshme evropiane dhe aziatike.

Afati kalimtar i verës ka qenë veçanërisht aktiv për futbollistët shqiptarë, me shumë prej tyre që kanë ndryshuar skuadra dhe kanë nisur kapituj të rinj në karrierën e tyre.

Disa realizuan transferime milionëshe drejt klubeve të njohura, të tjerë zgjodhën kampionate të reja dhe sfida të ndryshme, ndërsa lëvizjet e tyre dëshmojnë edhe një herë praninë gjithnjë e më të madhe të futbollistëve shqiptarë në tregun ndërkombëtar.

Vedat Muriqi realizoi një nga transferimet më të mëdha të futbollistëve kosovarë këtë verë, duke u rikthyer te Fenerbahçe nga Mallorca. Sulmuesi kosovar iu bashkua klubit turk për rreth 15.5 milionë euro, duke nisur një tjetër kapitull te skuadra ku kishte shkëlqyer edhe në të kaluarën.

Mërgim Vojvoda ndërroi skuadër në Serie A, duke kaluar nga Como te Udinese. Mbrojtësi i Kosovës u transferua në mënyrë të përhershme dhe nënshkroi kontratë deri në vitin 2028, me opsion për një vit tjetër, ndërsa shifrat e transferimit raportohen rreth 1.5 milion euro.

Lumbardh Dellova u largua nga CSKA Sofia gjatë kësaj vere, duke bërë një hap të ri në karrierën e tij. Transferimi i qendërmbrojtësit kosovar u realizua për një shifër prej rreth 1 milion eurosh, duke konfirmuar rritjen e tij në tregun evropian.

Albion Rrahmani vazhdoi aventurën e tij jashtë vendit me një transferim nga Sparta Praga te Venezia. Sulmuesi kosovar iu bashkua klubit italian për një shumë prej rreth 8 milionë eurosh, në një tjetër hap të rëndësishëm për karrierën e tij.

Elvis Rexhbeçaj ndërroi klub në Gjermani, duke kaluar nga Augsburgu te Wolfsburgu. Mesfushori kosovar befasoi të gjithë, pasi klubi i tij i ri këtë sezon do të luajë në Bundesliga 2.

Valmir Matoshi bëri hapin e radhës në karrierë duke kaluar nga Thun te Sturm Graz. Transferimi i mesfushorit kosovar drejt klubit austriak u realizua për rreth 1 milionë euro, duke i hapur atij mundësinë për të garuar në një nivel më të lartë.

Ndërkohë, Ermal Krasniqi u largua nga Sparta Praga dhe iu bashkua Amedspor në Turqi. Sulmuesi anësor kosovar ndryshoi ambient për një shumë prej rreth 1 milion euro, duke kërkuar një rol më të madh dhe më shumë hapësirë për të treguar cilësitë e tij.

Kapiteni Berat Gjimshiti largohet pas 10 viteve të kaluara tek Atalanta për të nisur një eksperiencë të re në karrierë në Arabinë Saudite, aty ky do të luajë për skuadrën Al Diriyah. Transferimi i tij i ka kushtuar klubit saudit 3 milionë euro.

Në Superligën arabe do të luajë edhe Nedim Bajrami, që u largua nga Rangers për të vazhduar karrierën tek Al Taawoun. Mesfushori me tipare sulmuese kaloi si huazim njëvjeçar.

Edhe Kristjan Asllani largohet nga Interi për të nisur një aventurë të re në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të veshë fanellën e Al Jaziras. Asllani kaloi si huazim me pagesë prej 2 milionë eurosh dhe mundësi blerje për 7 milionë euro tjera.

Mario Mitaj do të veshë fanellën e Genoas në Serie A këtë sezon, por nga kampionati italian është larguar Ylber Ramadani, që ikën nga Lecce për të luajtur në Superligën turke me skuadrën Corum FK.

Mirlind Daku gjithashtu ka bërë një transferim të madh duke kaluar nga Rubin Kazani te Spartak Moska për një shifër të deklaruar mbi 10 milionë euro.

Bujar Pllana është tashmë një lojtar i Grasshopper në kampionatin zviceran, ndërsa portieri Simon Simoni largohet nga Eintracht Frankfurti për të vazhduar karrierën te Luzern.

Me mbylljen e afatit kalimtar, futbollistët shqiptarë nisin një sezon të ri me shumë sfida dhe pritshmëri. Paraqitjet e tyre në klubet e reja mund të kenë ndikim të madh jo vetëm në karrierat individuale, por edhe në të ardhmen e përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat vazhdojnë të mbështeten te cilësia dhe eksperienca e lojtarëve të tyre në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/