Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018.
Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Ndërkaq, për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit, raporton Betimi për Drejtësi.
Për veprën penale për të cilën u shpall fajtor ministri në detyrë, gjykatësi Sadikaj tha se vendimi mbi dënimin do të shpallet pas mbajtjes së seancës ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese, seancë e cila do të bëhet më 8 shtator 2026.

Në seancën e së mërkurës Sveçla mungoi, ndërsa u përfaqësua nga avokati i tij, Laur Prenaj.
Në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend akuzohen edhe Fitore Pacolli-Dalipi, Salih Zyba dhe Drita Millaku.
Procedura ndaj Sveçlës ishte veçuar nga ajo ndaj të akuzuarve të tjerë.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, ngarkohej se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.
Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.
Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.
Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012.
Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar. /Telegrafi/





