Përplasen dy anije në brigjet e Stambollit, humbet kontakti me një prej tyre

Bota

Një incident detar ka alarmuar autoritetet turke në Detin e Marmarasë, pasi dy anije tregtare me flamur turk janë përplasur pranë Stambollit. Pas përplasjes, autoritetet kanë humbur kontaktin me njërën prej anijeve, bashkë me 10 anëtarët e ekuipazhit. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së mërkurës, në brigjet e distriktit Silivri të Stambollit, […]

Madhësia e shkronjave

Një incident detar ka alarmuar autoritetet turke në Detin e Marmarasë, pasi dy anije tregtare me flamur turk janë përplasur pranë Stambollit. Pas përplasjes, autoritetet kanë humbur kontaktin me njërën prej anijeve, bashkë me 10 anëtarët e ekuipazhit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së mërkurës, në brigjet e distriktit Silivri të Stambollit, transmeton Telegrafi.

Sipas zyrës së guvernatorit të Stambollit, anija Alsu, e cila po udhëtonte drejt portit të Aliagës në Detin Egje, u përplas me anijen Tugberk Imamoglu, e cila ishte nisur drejt portit Karadeniz Ereğli në Detin e Zi.

Menjëherë pas incidentit, në zonë u dërguan anije të Rojës Bregdetare dhe helikopterë, duke nisur një operacion kërkimi dhe shpëtimi.

Autoritetet thanë se në anijen Alsu nuk u konstatuan dëmtime të dukshme. Megjithatë, situata është shumë më shqetësuese për Tugberk Imamoglu, pasi ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur të vendosin kontakt me anijen apo me 10 anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord.

Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë Detare të Stambollit, Tugberk Imamoglu, në pronësi të kompanisë Zeybe Denizcilik, është një anije transportuese mallrash të thata, ndërsa Alsu, në pronësi të Ozpulathane Deniz Tasimaciligi, është një tanker për transportin e produkteve kimike.

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në Detin e Marmarasë, ndërsa autoritetet turke po përpiqen të përcaktojnë fatin e anijes së zhdukur dhe të ekuipazhit të saj.

Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për fatin e 10 personave në bord. /Telegrafi/