Meriton Korenica ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në fitoren e Clujit në elitën e futbollit rumun, duke regjistruar asistimin e tij të parë në kampionat për këtë edicion.
Cluji sot (e shtunë) triumfoi me rezultat 3:2 në udhëtim ndaj Csikszereda Miercurea Ciuc, në kuadër të javës së shtatë të kampionatit rumun.
Korenica ishte protagonist që në pjesën e parë, duke asistuar për golin e epërsisë 1:0. Sulmuesi kosovar shërbeu për Lorenzo Biliboc, i cili realizoi në minutën e 28-të për t’i dhënë avantazhin skuadrës mysafire.

29-vjeçari e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe e kompletoi të gjithë takimin, duke qenë një prej futbollistëve më të dalluar te Cluji. Kontributi i tij në këtë sfidë vjen pas paraqitjeve të mira edhe në garat evropiane.
Korenica deri tani ka shënuar dy gola në këtë sezon në arenën ndërkombëtare, të dy në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Konferencës.
Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të tij në fushë, e ardhmja e Korenicës te Cluji mbetet e pasigurt.
Sipas raportimeve të mediumeve rumune, futbollisti kosovar pritet të largohet së shpejti nga klubi.
Shkak për një largim të mundshëm janë bërë problemet e mëdha financiare me të cilat po përballet Cluji, të cilat mund ta detyrojnë klubin të shesë disa prej futbollistëve të tij.
Korenica, i cili është pjesë e rëndësishme e skuadrës rumune, mund të bëhet kështu një prej lojtarëve që do të largohej për t’i ndihmuar klubit në përmirësimin e situatës së tij financiare.
Për momentin, ai vazhdon të jetë i fokusuar te paraqitjet me Clujin, ndërsa mbetet për t’u parë nëse asistimi i fundit do të jetë ndër të fundit të tij me fanellën e klubit rumun. /Telegrafi/





