David Beckham dhe familja e tij po shijojnë pushimet verore në Mesdhe, duke udhëtuar me jahtin luksoz të familjes, “Seven”, me vlerë rreth 16 milionë funte (18.6 milionë euro).
Ish-futbollisti anglez ka ndarë në rrjetet sociale një seri fotografish nga aventurat e tyre verore, mes të cilave edhe një moment të rrallë të bashkëshortes së tij, Victoria Beckham, duke buzëqeshur.
Në një prej imazheve, Victoria shfaqet në det në Spanjë, me krahun rreth bashkëshortit të saj. David, me humor, shkroi: “Dikush nuk e do shumë oqeanin, por këtë e pëlqeu”.
Çifti ka ndarë gjithashtu një moment romantik, duke u shfaqur duke u puthur pasionant në një tjetër fotografi të realizuar në fillim të udhëtimit të tyre në Spanjë.
Pas Spanjës, familja Beckham vazhdoi udhëtimin drejt Ibizës dhe më pas në Saint-Tropez të Francës. Në pushime kanë qenë edhe fëmijët e çiftit, Romeo, Cruz dhe Harper, 15 vjeçe, ndërsa djali i tyre i madh, Brooklyn, 27 vjeç, ka munguar.
Së fundmi, familja është zhvendosur në Itali, ku David, Victoria dhe Harper kanë vazhduar pushimet përgjatë bregdetit të Amalfit, pasi Romeo dhe Cruz janë rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar për angazhimet e tyre.
Gjatë qëndrimit në Capri, David dhe Victoria shijuan një mbrëmje në një piceri lokale, madje duke vizituar edhe kuzhinën e restorantit. Lokali “Concettina ai Tre Santi” publikoi fotografi nga vizita e çiftit dhe i cilësoi ata si “legjenda”.
Për këtë mbrëmje, çifti zgjodhi një darkë më të thjeshtë, me pica, ndonëse David njihet për pasionin e tij për gatimin dhe për preferencën ndaj gastronomisë së nivelit të lartë.
Victoria u shfaq elegante me një fustan të gjatë ngjyrë kafe, të kombinuar me sandale ngjyrë bezhë, ndërsa David zgjodhi një bluzë në të njëjtën nuancë, pantallona lino dhe këpucë mokasine.
Edhe vajza e tyre, Harper, ka ndarë momente nga pushimet familjare, duke e cilësuar të ëmën si “gjithë botën e saj”. Në një prej fotografive, ajo shfaqet pranë Victoria-s, e cila më pas e ripublikoi imazhin në Instagram duke shkruar: “Të dua shumë, Harper!!!”
Ndërkohë, pushimet familjare të Beckham-ëve vijnë në një periudhë kur vëmendjen e mediave e ka tërhequr edhe raporti mes fëmijëve të familjes. Cruz Beckham duket se ka bërë disa referenca për konfliktin me vëllain e tij më të madh, Brooklyn, në këngët e EP-së së tij debutuese, të publikuar së fundmi.
Në një prej këngëve, Cruz i ka bërë homazh nënës së tij, duke e titulluar “Wannabe”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj këngës së famshme debutuese të grupit Spice Girls, ku Victoria u bë e njohur si “Posh Spice”. Në këngë të tjera, ai duket se aludon për tensionet me Brooklyn dhe konfliktet brenda familjes. /Telegrafi/






