Shumë pacientë, sapo ndiejnë përmirësim dhe dhimbja u ndalet e ndërpresin trajtimin, fizioterapinë apo ushtrimet e rekomanduara nga mjeku.
Megjithatë, sipas ortopedit Muharrem Hajdari, kjo është një nga gabimet më të shpeshta që mund të ndikojë negativisht në ecurinë e problemit ortopedik.
Për këtë temë, Hajdari ka folur në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.
Në këtë episod, ai trajtoi problemet më të shpeshta ortopedike, artrozën, protezat, dhimbjet e shputës, fizioterapinë dhe rëndësinë e lëvizjes.

Duke folur për trajtimin e artrozave dhe problemeve ortopedike, Hajdari theksoi se jo çdo rast duhet të përfundojë me operim. Sipas tij, trajtimi duhet të nisë fillimisht në mënyrë konservative dhe vetëm nëse është e nevojshme të kalohet në ndërhyrje kirurgjikale.
“Trajtimi i artrozave gjithmonë dhe gjithnjë duhet të fillojë në mënyrë konservative dhe të përfundojë në pjesën operative në qoftë se është nevoja”, tha ai.
Ai shtoi se operimi duhet të mbetet zgjidhja e fundit.
“Jo çdo artrozë duhet të operohet. Operimi është zgjidhja e fundit”, u shpreh Hajdari.
Megjithatë, një problem i shpeshtë te pacientët është ndërprerja e trajtimit sapo dhimbja qetësohet.
Hajdari tha se pacientët shpesh e marrin ndaljen e dhimbjes si shenjë se problemi është zgjidhur plotësisht, por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.
“Problemet e mëdha dalin në dhimbje, shpesh ndërprejnë edhe trajtimin, gjë që është gabim”, tha ai.
Sipas ortopedit, në trajtimin konservativ rëndësi të madhe kanë fizioterapia, ushtrimet dhe gjimnastika, të cilat nuk duhet të ndërpriten menjëherë pas përmirësimit të parë.
“Në pjesën konservative rëndësi të madhe ka edhe fizioterapia, ushtrimi, gjimnastika. Ato nuk duhet të ndërpriten”, theksoi Hajdari.
Ai paralajmëroi se ndërprerja e trajtimit mund të bëjë që sëmundja të vazhdojë të përparojë në heshtje, edhe nëse pacienti përkohësisht nuk ndien dhimbje.
“Sëmundja vazhdon fatkeqësisht në qetësi dhe mund të shkojë edhe në diçka shumë serioze dhe problematike”, tha ai.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





