Gjuha e urrejtjes dhe polarizimi fetar, PREVENT: Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë t’i kushtojnë vëmendje të veçantë

Nacionale

Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT ka shpreh shqetësimin lidhur me rritjen e një diskursi stigmatizues, përjashtues dhe potencialisht nxitës të intolerancës fetare që po shfaqet në hapësirën publike dhe online. Instituti thekson se në periudhën e fundit janë intensifikuar përplasjet, akuzat dhe kundërakuzat rreth Islamit, praktikimit të fesë dhe rolit të komunitetit mysliman […]

Madhësia e shkronjave

Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT ka shpreh shqetësimin lidhur me rritjen e një diskursi stigmatizues, përjashtues dhe potencialisht nxitës të intolerancës fetare që po shfaqet në hapësirën publike dhe online.

Instituti thekson se në periudhën e fundit janë intensifikuar përplasjet, akuzat dhe kundërakuzat rreth Islamit, praktikimit të fesë dhe rolit të komunitetit mysliman në shoqërinë kosovare.

“Ky diskurs, në raste të caktuara, po kalon nga kritika ndaj ideve dhe praktikave në përgjithësime ndaj besimtarëve dhe në krijimin e një atmosfere gjithnjë e më konfrontuese.

Kjo dinamikë është bërë veçanërisht e dukshme pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit, në të cilën, sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale dhe raportimeve publike mbi aktakuzën, përmendet edhe një dokument që lidhet me synimin për të krijuar perceptimin e Kosovës si shoqëri e radikalizuar dhe ekstremiste”, thuhet në reagim.

Për PREVENT, këto zhvillime tregojnë se feja, identiteti fetar dhe ndarjet shoqërore mund të shfrytëzohen si instrumente të ndikimit dhe polarizimit, duke prodhuar narrativa që mund të dëmtojnë kohezionin shoqëror dhe të ushqejnë përplasje të reja.

“Njëkohësisht, një diskurs i tillë mund të nxisë edhe reagime gjithnjë e më konfrontuese nga pjesë të komunitetit mysliman, duke krijuar një cikël të ndërsjellë polarizimi.

PREVENT rikujton se liria e besimit, ndërgjegjes dhe fesë është e garantuar me nenin 38 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa neni 39 garanton statusin dhe autonominë e bashkësive fetare. Këto parime mbështeten edhe nga Ligji Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, i cili garanton të drejtën e individëve për të manifestuar dhe praktikuar fenë e tyre, individualisht apo në bashkësi me të tjerët”, thuhet tutje.

PREVENT thekson se në një shoqëri demokratike, kritika ndaj fesë, institucioneve fetare dhe praktikave fetare është legjitime dhe pjesë e debatit publik.

“Por kritika duhet të dallohet qartë nga stigmatizimi i besimtarëve, demonizimi i një komuniteti ose nxitja e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit fetar. Po aq e rëndësishme është që përgjigjja ndaj një diskursi të tillë të mos shndërrohet në gjuhë hakmarrëse apo në sulme ndaj individëve dhe grupeve me bindje të ndryshme.

PREVENT vlerëson se normalizimi i gjuhës përjashtuese nga cilado anë mund të thellojë polarizimin shoqëror dhe fetar, të dobësojë kohezionin dhe, në rrethana të caktuara, të krijojë terren për tensione dhe incidente. Për këtë arsye, institucionet, mediat, shoqëria civile dhe komunitetet fetare duhet të tregojnë përgjegjësi të veçantë në mënyrën se si trajtohen këto çështje.

PREVENT u bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij fenomeni dhe, aty ku përmbajtjet apo veprimet konkrete përmbajnë elemente të veprave të përcaktuara me ligj, të ndërmarrin masat përkatëse. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje mediave që të tregojnë kujdes të shtuar në përzgjedhjen e zërave që ftohen për të diskutuar këto tema dhe të mos lejojnë që hapësira publike të shndërrohet në platformë për stigmatizimin e një komuniteti të tërë, përhapjen e urrejtjes apo thellimin e përplasjeve fetare”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/