Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të jetë nikoqir i edicionit të katërt të turneut ndërkombëtar “Prishtina Open Table Tennis International Tournament”, nga 28 deri më 30 gusht.
Një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare të pingpongut në Kosovë rikthehet për edicionin e katërt, me mbi 250 lojtarë nga 15 shtete të ndryshme të botës.
Turneu organizohet nga Klubi i Pingpongut Priping, në bashkëpunim me Federatën e Pingpongut të Kosovës, ndërsa mbështetet nga Ministria e Sportit dhe Rinisë dhe Drejtoria e Sportit e Komunës së Prishtinës.
Në konferencën për media u prezantuan detajet e turneut ndërkombëtar të pingpongut, ku folën organizatori Kastriot Orana, kryetari i federatës së pingpongut, Nehat Çitaku dhe drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci.
Organizatori i turneut, Kastriot Orana, ka treguar se edicioni i këtij viti sjell disa risi, ndërsa pjesëmarrja ndërkombëtare është zgjeruar.
“Ky turne është turneu i katërt radhazi dhe këtë vit kemi disa risi dhe disa aktivitete ndryshe për dallim prej viteve të kaluara. Turneu Prishtina Open, është nikoqir i mbi 250 lojtarëve nga 15 shteteve të ndryshme të botes, përveç rajonit që janë pjesëmarrës kemi edhe lojtarë nga Turqia, Bullgaria, Gjermani, si dhe nga Holanda dhe Brazili, që është një pjesëmarrje bukur ndërkombëtare”, ka thënë fillimisht Orana në konferencë.
Orana ka bërë të ditur se organizatorët kanë menduar edhe për spektatorët, duke paralajmëruar një shpërblim të veçantë gjatë finales.
“Këtë vit, si edhe viteve të kaluara, përveç rëndësisë qe i japim ndeshjeve të pingpongut në garat e pingpongut, kemi dëshirë që edhe shikuesit me pas atmosferë të mirë, me pas surpriza për ta. Në të dielën që mbahet finalja e turneut Prishtina Open nga ora 17:00, partneri jone Zone Mobile ofron një Iphone 17 për një nga shikuesit e turneut. Krejt çfarë duhet të bëni është ta merrni biletën dhe ta shikoni finalen. Për të pasur transparencë dhe për të hequr dyshimet, fituesi i turneut do ta tërheq biletën e fituesit fatlum për ta fituar një shpërblim”.
Megjithatë, organizatori theksoi se fokusi kryesor mbetet gara dhe cilësia e pjesëmarrësve.
“Mirëpo fokusi i gjithë turneut është në ndeshjet dhe në lojtë që do të zhvillohen. Pritet të ketë ndeshje të mira dhe atraktive për shkak që kemi pjesëmarrës kampion të kategorive të ndryshme, të vendeve të ndryshme, sikurse kampioni i Austrisë që ishte edhe vitin e kaluar”.
“Për fituesit është parapa një shpërblim prej më shumë se 3000 eurosh për të gjithë fituesit e kategorive të seniorëve, ndërsa juniorët dhe veteranët, përveç medaljeve do të fitojnë edhe dhurata nga partnerët tanë”, përfundoi Orana.
Kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku, e ka vlerësuar “Prishtina Open” si dëshmi të rritjes së vazhdueshme të këtij sporti në vend.
“Ky është edicioni i katërt i këtij turneu dhe paraqet një dëshmi të rëndësishme të vazhdimësisë dhe seriozitetit të rritjes se pingpongut në Prishtinë dhe Kosovës. Prishtina Open tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme sportive që mbledh shumë garues nga Kosova, por edhe nga vende tjera dhe disa kontinente. Mund të them se është një turneve më kreativ që është në kalendarin e federatës”, ka thënë Çitaku.
Në konferencë ka folur edhe drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, i cili është shprehur i lumtur me vazhdimin e këtij turneu, duke theksuar se Prishtina po bëhet gjithnjë e më e gatshme për të organizuar ngjarje të ndryshme ndërkombëtare.
Turneu “Prishtina Open” zhvillohet nga sot (e premte), 28 gusht, deri të dielën më 30 gusht, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me pjesëmarrjen e mbi 250 pingpongistëve nga 15 shtete. /Telegrafi/






