Drita eliminohet në penallti, Inter D’Escaldes kalon në fazën e ligës

Sport

Drita ka pësuar eliminim të dhimbshëm në play-offin e Ligës së Konferencës, pasi Inter D’Escaldes e mposhti pas ekzekutimit të penalltive dhe siguroi kualifikimin në fazën e ligës. Drita në 45 minutat e para ishte më e fokusuar në organizimin defensiv, duke mos lejuar kundërshtarin të krijojë raste të rrezikshme para portës së Malokut. Në […]

Madhësia e shkronjave

Drita ka pësuar eliminim të dhimbshëm në play-offin e Ligës së Konferencës, pasi Inter D’Escaldes e mposhti pas ekzekutimit të penalltive dhe siguroi kualifikimin në fazën e ligës.

Drita në 45 minutat e para ishte më e fokusuar në organizimin defensiv, duke mos lejuar kundërshtarin të krijojë raste të rrezikshme para portës së Malokut.

Në anën tjetër, gjilanasit, edhe pse po luajnë me dy sulmues, nuk arritën të krijojnë ndonjë mundësi të pastër shënimi.

Skuadra vendase ishte shumë më kërkuese edhe në pjesën e dytë, por Faton Maloku me disa pritje të mira, si dhe mos-saktësia e lojtarëve të klubit nga Andorra, bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar.

Në minutat e fundit, Drita tentoi të shënonte nga një goditje këndi, por Besnik Krasniqi nuk arriti ta devijonte topin në rrjetë pas harkimit në zonë.

Ndeshja e parë në Prishtinë ishte mbyllur 2-2, ndërsa pas 90 minutave në Andorra rezultati i përgjithshëm mbetet i barabartë.

Në penallti, për Dritën shënuan Besnik Krasniqi dhe Ovouka, ndërsa portieri Faton Maloku u bë hero për një moment, duke pritur penalltinë e tretë të Inter D’Escaldes.

Megjithatë, Kristal Abazaj nuk arriti të shënonte dhe Interi mori sërish epërsinë 3-2. Më pas, Igball Jashari dështoi ta realizonte penalltinë e tij, duke goditur jashtë portës.

Inter D’Escaldes e realizoi edhe penalltinë e katërt përmes Riyadit, duke siguruar fitoren dhe kualifikimin.

Kështu, aventura evropiane e Dritës përfundon në play-off, ndërsa kampionia e Kosovës nuk arrin të sigurojë pjesëmarrjen në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.

Pas suksesit të sezonit të kaluar, kur Drita kishte arritur të luante në fazën e ligës, këtë herë gjilanasit mbeten jashtë pas një eliminimi dramatik në Andorrë. /Telegrafi/