G-Bani ka befasuar ndjekësit e tij në rrjetet sociale me një deklaratë të papritur, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së tij në jetën politike shqiptare.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, ish-banori i “Big Brother VIP Albania” ka deklaruar se është i gatshëm të pranojë një ftesë për të marrë një pozicion në politikë, por ka vendosur një kusht të pazakontë.

Ai ka kërkuar që videoja e tij të arrijë 20 mijë pëlqime, duke lënë të kuptohet se vetëm nëse realizohet kjo shifër do ta ndërmarrë hapin e radhës.
Në postimin e tij, G-Bani ka renditur edhe tri zotime që, sipas tij, do t’i karakterizonin nëse do të merrte një përgjegjësi politike.
Ai është shprehur se nuk është analfabet, “me apo pa diplomë”, ndërsa ka theksuar se për të nuk është e rëndësishme të duket serioz, por të jetë në gjendje të marrë vendime serioze.
Një tjetër premtim i tij lidhet me kohëzgjatjen në një eventualitet të tillë. G-Bani ka deklaruar se nuk do të qëndronte në atë pozicion për më shumë se një vit.
Deklarata e tij ka nxitur menjëherë reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa ndjekësit kanë nisur të diskutojnë nëse kjo është një ide serioze apo një tjetër mënyrë e G-Banit për të provokuar dhe tërhequr vëmendjen e publikut.
Tani mbetet të shihet nëse videoja do ta arrijë shifrën prej 20 mijë pëlqimesh dhe nëse G-Bani do ta mbajë premtimin për të bërë hapin e pazakontë drejt politikës shqiptare. /Telegrafi/





