Nga top klubet botërorre, në kategorinë e tretë spanjolle: Ander Herrera rikthehet në shtëpi për ëndrrën e fundit, luan pa para

Sport

Ndeshjen e fundit garuese e zhvilloi në atmosferën elektrizuese të “La Bombonera”, me fanellën e Boca Juniors në Copa Libertadores. Ndeshja e radhës, megjithatë, do të jetë krejt ndryshe. Ander Herrera do të luajë në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll, para rreth 6500 shikuesve, në përballjen ndaj Gimnastic de Tarragona. Por për mesfushorin 37-vjeçar, […]

Madhësia e shkronjave

Ndeshjen e fundit garuese e zhvilloi në atmosferën elektrizuese të “La Bombonera”, me fanellën e Boca Juniors në Copa Libertadores. Ndeshja e radhës, megjithatë, do të jetë krejt ndryshe.

Ander Herrera do të luajë në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll, para rreth 6500 shikuesve, në përballjen ndaj Gimnastic de Tarragona. Por për mesfushorin 37-vjeçar, kthimi te Real Zaragoza ka një domethënie të veçantë.

Herrera është rikthyer te klubi i qytetit të tij si lojtar i lirë nga Boca Juniors, plot 15 vjet pas largimit, dhe e ka cilësuar këtë hap si një nga ëndrrat e fundit të karrierës së tij.

“Me shumë gjasë, kjo është ëndrra e fundit që kam dashur ta bëj realitet”, ka thënë Herrera për BBC.

“Të kthehem në shtëpi, në vendin ku jam rritur, në klubin që më dha mundësinë të bëhem profesionist, jo vetëm në futboll, por edhe si qenie njerëzore. Ende e kam pasionin dhe dëshirën për futboll. Të luaj në shtëpi është mënyra më e mirë për ta përfunduar karrierën”.

Nga Manchester United e PSG te klubi i zemrës

Gjatë karrierës së tij, Herrera ka luajtur në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Ai pati dy periudha te Athletic Bilbao, ndërsa veshi edhe fanellat e Manchester United, Paris Saint-Germain dhe së fundmi Boca Juniors.

Në karrierën e tij ka fituar trofe të rëndësishëm, përfshirë Ligën e Evropës dhe Kupën FA, ndërsa ka punuar me trajnerë të njohur si Jose Mourinho, Thomas Tuchel dhe Marcelo Bielsa.

Po ashtu, ka ndarë zhveshtoren me emra të mëdhenj të futbollit botëror si Lionel Messi, Neymar dhe Wayne Rooney.

Zaragoza në periudhën më të vështirë

Sfida e tij e re është krejt tjetër. Real Zaragoza po kalon një nga periudhat më të vështira të historisë së saj.

Klubi, që në vitin 1995 e kishte mposhtur Arsenalin në finalen e Kupës së Fituesve të Kupave, ra nga La Liga në vitin 2013 dhe, pas 13 vjetësh në kategorinë e dytë, përfundoi edhe në kategorinë e tretë.

Herrera dëshiron të vendosë përvojën dhe kualitetin e tij në shërbim të klubit të zemrës.

“Real Zaragoza i përket Evropës. Është një klub që duhet të luftojë për trofe dhe të konkurrojë me klubet më të mëdha në Spanjë dhe Evropë. Dua të vendos kualitetin, përvojën dhe pasionin tim në shërbim të klubit, që Zaragoza të kthehet aty ku e ka vendin”.

Ajo që e bën edhe më të veçantë rikthimin e tij është vendimi për të mos marrë pagë.

Herrera ka vendosur që të ardhurat e tij nga kontrata të dhurohen për fondacionin e Real Zaragozas, duke treguar se rikthimi i tij nuk ka të bëjë me paratë.

“Nuk më duhet kontrata. Kam pasur një karrierë shumë të suksesshme dhe jam kujdesur për financat e mia. Mund t’ia bëj vetes këtë dhuratë, ta vesh atë fanellë pa kompensim, sepse dua të ndihmoj klubin, ekipin dhe qytetin”.

Në moshën 37-vjeçare, pasi ka luajtur në stadiumet më të mëdha të Evropës dhe Amerikës së Jugut, Ander Herrera ka zgjedhur të rikthehet pikërisht aty ku gjithçka nisi – në Zaragoza, për një mision që për të vlen më shumë se çdo kontratë. /Telegrafi/